Nxehtësia e verës i ka shtyrë sërish drejtuesit e automjeteve që ta ndezin kondicionerin menjëherë sapo futen në veturë.
Megjithatë, jo rrallëherë ndodh që nga ventilimi të vijë një aromë e rëndë dhe myku, sidomos kur makina ka qëndruar për një kohë të gjatë nën diell.
Të lidhura
None found
Teknikët e servisit thonë se shkaku zakonisht nuk lidhet me vetë pajisjen, por me mënyrën se si përdoret ajo. Gjatë funksionimit të klimës krijohet lagështi në avullues, ndërsa pasi makina fiket, kjo lagështi mbetet brenda sistemit të ventilimit. Me kalimin e kohës, aty krijohen kushte të favorshme për zhvillimin e baktereve dhe mykut.
Për këtë arsye, specialistët sugjerojnë një veprim të thjeshtë që nuk ka asnjë kosto. Një ose dy minuta para se të mbërrini në destinacion, fikeni ajrin e kondicionuar, por mbajeni ventilatorin ndezur. Qarkullimi i ajrit ndihmon që pjesa e brendshme e sistemit të thahet dhe të reduktohet grumbullimi i lagështisë.
Edhe pse mund të duket diçka e vogël, lagështia mbetet arsyeja kryesore e aromave të pakëndshme që shumë shoferë, gabimisht, i lidhin me prishjen e kondicionerit, shkruan Indeksonline.
Në fakt, shpesh bëhet fjalë për një sistem që nuk thahet sa duhet dhe që për muaj të tërë grumbullon papastërti dhe mikroorganizma.
Natyrisht, edhe zakonet më të mira nuk japin rezultat nëse mungon mirëmbajtja e rregullt. Filtri i kabinës duhet ndërruar sipas udhëzimeve të prodhuesit, madje edhe më shpejt kur makina përdoret shpesh në trafikun urban, në ambiente me pluhur ose gjatë sezonit të polenit.
Nëse edhe pas zëvendësimit të filtrit kondicioneri vazhdon të mbajë erë të keqe, atëherë duhet bërë pastrimi dhe dezinfektimi i plotë i sistemit. Kjo procedurë është e lirë dhe mund të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë së ajrit në kabinë.
Katër këshilla për një “klimë më të shëndetshme” në makinë
1. Fikeni kondicionerin pak para përfundimit të udhëtimit me makinë.
Lëreni ventilatorin të punojë edhe një minutë për të tharë lagështinë në sistem.
2. Mos e shtyni zëvendësimin e filtrit të kabinës.
3. Mos e ndizni kondicionerin në maksimum menjëherë pasi hipni në një makinë të nxehtë.
Fillimisht hapni për pak kohë dritaret që të dalë ajri më i nxehtë.
4. Reagoni që në shenjat e para të aromave të pakëndshme.
