Mercedes-Benz ka ndërprerë prodhimin e motorit të njohur 4.0-litërsh V8 biturbo (M177) për disa modele të destinuara për tregun evropian, pasi kjo njësi nuk arrin më të plotësojë normat gjithnjë e më të forta për emetimet e gazrave të dëmshëm.
Të lidhura
None found
I prezantuar në vitin 2015, motori është vendosur në disa prej modeleve më të spikatura AMG, përfshirë C63, GT, GLC63 dhe E63. Gjatë kësaj periudhe, ai u kthye në një simbol të performancës së lartë dhe të tingullit dallues të markës.
Vendimi për tërheqjen e tij lidhet kryesisht me rregullat e reja evropiane për nivelin e emetimeve dhe zhurmës. Këto kërkesa po i shtyjnë prodhuesit të përdorin motorë më efikasë, sisteme hibride dhe automjete elektrike.
Në kuadër të strategjisë për reduktimin e emetimeve të CO₂ dhe përmbushjen e standardeve të reja mjedisore, Mercedes po e zhvendos gamën drejt motorëve me katër ose gjashtë cilindra, të ndërthurur me teknologji hibride, në vend të njësisë V8.
Për shumë adhurues të automobilizmit, largimi i këtij motori përfaqëson mbylljen e një kapitulli për modelet sportive AMG, të cilat janë dalluar për fuqinë, aftësitë dinamike dhe zhurmën e tyre karakteristike.
