Gati një dekadë pas prezantimit të SUV-it të parë të Lamborghini-t, ky model ka kaluar nëpër ndryshime të shumta.
Të lidhura
None found
Urus-i fillestar erdhi në treg me një motor V8 me dy turbo, nga i cili më pas lindi edhe varianti më i fuqishëm Performante.
Në vitin 2024 u prezantua Urus SE i rifreskuar, tashmë i pajisur me një sistem fuqie plug-in-hybrid.
Tani, si vazhdim i kësaj linje, vjen Urus SE Performante i ri, transmeton Telegrafi.
I konsideruar si Urus-i më i shpejtë dhe më i fuqishëm i ndërtuar deri tani, SE Performante përdor të njëjtin sistem plug-in-hybrid me motor V8 4.0 litra me dy turbo si versioni standard i SE.
Megjithatë, në frymën karakteristike të versioneve Performante, ky konfigurim është përforcuar për të ofruar më shumë fuqi.
Urus SE Performante zhvillon 800 kuaj-fuqi dhe 738 nm çift rrotullues, që do të thotë 11 kuaj fuqi më shumë se SE standarde dhe 37 nm shtesë.
Sipas matjeve të Lamborghini-t, kjo e bën atë super-SUV-in më të shpejtë në botë, me përshpejtim nga 0 në 100 kilometra në orë për 3.3 sekonda dhe me shpejtësi maksimale prej 194 miljesh në orë.
Motori V8 punon në kombinim me një motor elektrik sinkron, i cili furnizohet nga një bateri me kapacitet 25.9 kilovat-orë.
Kjo paketë baterie është vendosur nën dyshemenë e hapësirës së ngarkesës për të përmirësuar qendrën e gravitetit të Urus SE Performante, ndërsa i jep mundësi këtij SUV-i të lëvizë vetëm me energji elektrike deri në 37 milje.
E gjithë kjo fuqi menaxhohet nga i njëjti transmision me tetë shpejtësi, por në këtë version ai është rikalibruar për të rritur shpejtësinë e reagimit dhe për të ulur në minimum vonesën e çift rrotullues.
Ky sistem shoqërohet edhe me tërheqje standarde në të gjitha rrotat, të kontrolluar elektronikisht.
Njëkohësisht, është arritur edhe një ulje prej 25 përqind e dridhjeve të karrocerisë. Në tërësi, Urus SE Performante është 6 përqind më i shpejtë në manovrim dhe ofron një kohë reagimi 12 përqind më të shpejtë.
Së bashku me gomat e reja Pirelli P Zero, në përmasa 22 ose 23 inç, përmirësimi i kapjes arrin deri në 6 përqind.
Natyrisht, si çdo Lamborghini i vërtetë performance, fokusi nuk është vetëm te fuqia.
Për këtë arsye, Urus SE Performante sjell një sërë përmirësimesh në aerodinamikë dhe peshë, të menduara për të rritur aftësitë e tij si në rrugë, ashtu edhe në pistë.
Falë përdorimit të gjerë të fibrave të karbonit në kapakun e motorit, në çati, në skajet anësore dhe në pjesë të tjera, SE Performante peshon 50 kilogramë më pak se Urus SE tradicional.
Silenciatori dhe tubat e lehtë të shkarkimit, pjesë e sistemit të ri të shkarkimit Akrapovič, kursejnë 10 kilogramë, ndërsa sistemi i Integruar i Frenave Power heq edhe 5.8 kg të tjera.
Spoileri dhe difuzorët prej fibre karboni rrisin stabilitetin në pjesën e pasme gjatë lëvizjes me shpejtësi të lartë, ndërsa pjesa e përparme më e gjerë ndihmon në përmirësimin e ftohjes së baterisë dhe të rrjedhës së ajrit. Edhe ftohja e frenave është 8 përqind më efikase se te Urus SE.
E vetmja gjë që mbetet ende e panjohur për Urus SE Performante është çmimi i tij.
Duke pasur parasysh se Urus SE standarde nis nga pak më shumë se 252,000 dollarë dhe Performante-ja e mëparshme kushtonte rreth 270,000 dollarë, modeli i ri Performante nuk pritet të jetë i lirë.
Një çmim bazë pranë 300,000 dollarësh nuk përjashtohet. /Telegrafi/

