Gjatë “Foltores së Ripërtëritjes” në Durrës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe paralajmëroi se, sipas tij, personat e lidhur me bandat kriminale, bashkë me atë që e quajti “Padrino”, do të përballen me ligjin.
Berisha kritikoi edhe zgjedhjet parlamentare, duke i cilësuar farsë elektorale të zhvilluar në kushtet e një partie shtet. Sipas tij, administrata publike u vu në përdorim për të ndikuar te votuesit dhe për të cenuar barazinë e garës.
Të lidhura
None found
Ai renditi si shembuj 4300 aktivitete të zhvilluara gjatë periudhës zgjedhore, arrestimin e drejtuesve të dy partive opozitare, shpërndarjen e 100 eurove për 760 mijë pensionistë gjatë fushatës dhe amnistimin e 2.1 miliardë eurove gjoba e kamatëvonesa. Berisha tha se ndikim në proces patën edhe premtimet për punësime, legalizime dhe certifikata pronësie.
Kreu i PD-së përmendi persona që, sipas tij, kishin ndikuar në zgjedhjet e 11 majit dhe akuzoi qeverinë se kishte mbrojtur njerëz të lidhur me krimin.
Ai vlerësoi qëndresën e demokratëve dhe protestat e zhvilluara nga dhjetori i vitit të kaluar deri në maj, duke thënë se opozita nuk lejoi të shndërrohej në një forcë politike fasadë.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Ju përshëndes dhe dua t’ju shpreh vlerësimin tim për votën dhe qëndresën tuaj.
Më 11 maj, gazetarët raportonin nga Durrësi se zgjedhjet po kontrolloheshin nga banda. Anëtarët e saj, ndër ta Elvis Troplini, i cili tani qëndron në vrima miu dhe mbrohet nga shteti, lëviznin nga një qendër në tjetrën.
Ju jap fjalën këtu përpara jush: nuk do të ketë vrimë miu në Shqipëri apo në botë ku ata mund të fshihen. Kudo që të jenë, do të gjenden dhe do të dalin para ligjit.
Nuk bëhet fjalë vetëm për ta. Edhe Avdylët, Çelat dhe të tjerët, kudo që ndodhen në Shkodër, Elbasan, Fier apo Vlorë, nuk do të mund t’i intimidojnë dhe t’i frikësojnë më qytetarët. Këto kohë po marrin fund dhe, bashkë me Padrinon e tyre, edhe ata do të përballen me ligjin.
Vëllezër e motra, qëndresa juaj si opozitë e vërtetë pati rëndësi historike. Ajo rrëzoi çdo përpjekje për të krijuar një opozitë fasadë, siç e dëshironte Edi Rama.
Falë qëndresës suaj, Partia Demokratike arriti t’i dëshmojë botës se zgjedhjet e 11 majit u zhvilluan në kushtet e partisë shtet.
Dje po bisedoja me Oerd Bylykbashin. I kujtova se në janar të vitit 1991, kur po përgatitej greva e urisë e studentëve, një nga kërkesat e tyre ishte ndarja e shtetit nga partia, sepse atëherë ekzistonte partia shtet.
Kur shteti dhe partia janë të bashkuar, zgjedhje nuk ka; ka farsë elektorale. Atëherë ishim përpara zgjedhjeve, ndërsa sot, pas 35 vitesh, vëzhguesit më seriozë ndërkombëtarë shprehen njëzëri në raportet e tyre se në Shqipëri duhet ndarë partia nga shteti. Kjo është vepra e zezë e Edi Ramës.
Ju qëndruat, edhe pse u organizuan 4300 aktivitete të paligjshme, me synimin e vetëm për të ndikuar te vota juaj, në një periudhë kur ligji nuk i lejonte.
Në vitin elektoral u arrestuan drejtuesit e dy partive kryesore opozitare, ndërsa i treti u vu nën ndjekje penale.
Gjatë fushatës u shpërndanë 100 euro për 760 mijë pensionistë. Po ashtu, u amnistuan 2.1 miliardë euro gjoba dhe kamata, masë nga e cila prekeheshin 210 mijë familje dhe 84 mijë biznese.
Shihni çfarë u bë kundër votës suaj. U dekretua mbjellja e 29 mijë hektarëve me kanabis dhe u firmosën mijëra fletë punësimi, legalizime e certifikata pronësie.
Të gjitha këto bënë që komuniteti ndërkombëtar të arrinte në përfundimin se zgjedhjet u zhvilluan nën kontrollin e partisë shtet dhe se ishin farsë elektorale. Këto qëndrime u pasqyruan në një sërë rezolutash ndërkombëtare.
Për këto arsye, demokratët e Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë nisën protestat në dhjetor të vitit të kaluar dhe i vijuan ato deri në maj të këtij viti, në protestat më të fuqishme.








