Bota vazhdon të përballet me mungesë paqeje, ndërsa lufta e fundit e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit po shkakton pasoja të rënda.
Të lidhura
None found
Krahas humbjes së jetëve njerëzore, që përbën pasojën më tragjike, goditje serioze po pëson edhe ekonomia globale.
Rritja e çmimeve të karburanteve po ushtron presion edhe mbi shtetet evropiane.
Në këto rrethana, është e dobishme të dihet se si mund të reduktohet konsumi i karburantit gjatë vozitjes. Brenda qyteteve, zgjidhja më e mirë do të ishte përdorimi i transportit publik, biçikletës ose ecja në këmbë. Megjithatë, vetura shpesh mbetet e domosdoshme, veçanërisht për udhëtime në distanca të gjata.
Për të kursyer karburant, këshillohet kalimi më herët në një marsh më të lartë dhe shtyrja e kalimit në marsh më të ulët. Në mënyrë ideale, ndërrimi duhet të bëhet kur motori punon me rreth 1,000 rrotullime në minutë, pak përpara se të nisë të dridhet.
Motori funksionon në intervalin optimal kur ka nga 1,500 deri në 2,500 rrotullime në minutë. Brenda këtij diapazoni, si konsumi i karburantit, ashtu edhe ngarkesa mbi motorin janë më të ulëta.
Sipas rekomandimit të organizatës gjermane të ekspertëve TÜV, në autostradë duhet të vozitet me 70 deri në 80 për qind të shpejtësisë maksimale të veturës, pa e tejkaluar kufirin prej 130 kilometrash në orë.
Ky udhëzim zbatohet më shumë për veturat e vogla dhe me fuqi më të ulët. Për shembull, një model me shpejtësi maksimale prej 150 kilometrash në orë do të duhej të lëvizte idealisht me 105 deri në 120 kilometra në orë.
