Një djalosh vetëm 14 vjeç është në prag të një debutimi historik në futbollin francez. Thymeo Hanyurwimana Ferreira Cruz, talenti me origjinë franko-portugeze, po rritet me një ritëm mahnitës dhe tashmë ka tërhequr vëmendjen e gjigantëve të futbollit evropian.
Rennes, klubi i tij aktual, po planifikon t’i japë mundësinë të stërvitet dhe të luajë me ekipin e parë, edhe pse ai ende nuk ka mbushur 15 vjeç. Me këtë strategji, skuadra franceze synon të blindojë talentin dhe ta mbajë larg interesimit të klubeve të tjera të mëdha të kontinentit.
Të lidhura
None found
I lindur më 5 prill 2012, Thymeo sipas moshës do të duhej të ishte pjesë e ekipit U15, por Rennes e ka avancuar tashmë në stërvitjet me U19. Ndeshjet zyrtare i luan me U17, ku është dalluar qartë për aftësitë e tij të jashtëzakonshme dhe karakteristikat unike teknike.
Performancat e tij nuk kanë mbetur pa u vënë re. Disa klube evropiane, përfshirë skuadra nga Spanja, kanë nisur ta ndjekin nga afër ecurinë e tij.
Për të eliminuar rrezikun e largimit të talentit, Rennes ka vepruar me shpejtësi. Në tetor 2025, klubi nënshkroi me të një kontratë gjysmëprofesionale, e cila do të aktivizohet më 1 korrik 2027, pasi lojtari të mbyllë ciklin e arsimit të detyrueshëm.
Menjëherë pas kësaj date, Rennes do të ketë të drejtën t’i propozojë kontratën e parë profesionale. Nëse kjo realizohet, Thymeo mund të hyjë në histori si futbollisti më i ri që luan në Ligue 1, në moshën 15 vjeç e më pak se tre muaj.
Barcelona është një nga klubet që po monitoron me kujdes situatën. Sipas RMC, babai i 14-vjeçarit ka siguruar punë në Spanjë, një faktor që mund të hapë rrugën për një kalim të mundshëm të të birit drejt Katalonisë.
Ky skenar kujton vitin 2001, kur Lionel Messi, atëherë 13 vjeç, u vendos në Barcelonë me familjen e tij.
Megjithatë, pavarësisht zërave dhe interesimit të shumtë, vetë lojtari dhe njerëzit e tij më të afërt duket se preferojnë të qëndrojnë te Rennes.
Klubi francez ka një traditë të konsoliduar në nxjerrjen e talenteve të rinj, me emra si Ousmane Dembele, Eduardo Camavinga dhe Desire Doue që kanë dalë nga akademia e tij.








