Sakrifikohen Lautaro e Hakimi, Inter synon Muriel e Raspadorin

Pas largimit të Antonio Contes, Interi zgjodhi Simone Inzaghin për t’i besuar drejtimin e skuadrës, ndërsa drejtuesit e klubit i kanë idetë e qarta për rrugën që duhet të ndjekin për të dalë nga situata e vështirë ekonomike.

Do të jenë dy titullarët e formacionit që fituan titullin kampion, ata që do të sakrifikohen dhe bëhet fjalë për anësorin maroken Achraf Hakimi dhe sulmuesin argjentinas Lautaro Martinez, të cilët kanë edhe më shumë oferta.

Për Hakimin kanë shfaqur interes Chelsea, Bayern Munich dhe Paris Saint Germain, me këta të fundit që kanë bërë edhe hapa konkretë, duke ofruar 60 milionë euro, por drejtuesit e Interit këmbëngulin të arkëtojnë 80 milionë euro nga kartoni i marokenit.

Merkatoja sapo ka nisur dhe gjatë verës palët pritet të gjejnë një akord, ndërsa për të zëvendësuar marokenin, Marotta ka evidentuar emra si Emerson i Barcelonës, Florenzi i Romës dhe Zappacosta i Genoas.

Sa i përket Lautaros, dy klubet e Madridit, Atetico e Real kanë bërë hapa përpara, duke treguar gatishmëri të paguajnë 80-90 milionë euro për kartonin e tij, por së fundi në garë mund të shtohet edhe Manchester City.

Me largimin e Agueros dhe nxjerrjen në shitje të Sterling, “citizens” e kanë të domosdoshëm afrimin e një sulmuesi dhe komplikimi i pistës Haaland, mund t’i orientojë piiërisht drejt argjentinasit të zikatërve.

Këta të fundit kanë vendosur të mbajnë me çdo kusht Lukakun, i cili do të vijojë të bëjë liderin e sulmit, teksa për të zëvendësuar Lautaron kanë dalë në skenë dy emra, Luis Muriel dhe Giacomo Raspadori.

Kolumbiani i Atalantës është një profil mjaft interesant, me eksperiencë të konsiderueshme, qe mund të bëjë edhe sulmuesin e parë, megjithatë shumë do të varet nga pretendimi i bergamaskëve, pasi Interi nuk ka ndërmend të paguajë më shumë se 25-30 milionë euro për kartonin e tij.

Nëse nuk arrihet te Muriel, vëmendja do të spostohet te Giacomo Raspadori, sulmues i talentuar i Sassuolos, i cili ka një fizik të ngjashëm me Lautaron, jo aq teknik sa argjentinasi, por me një nuhatje të jashtëzakonshme për golin.

Ndonëse 22-vjeç, Raspadori ka tërhequr edhe vëmendjen e Roberto Mancinit, i cili e ka grumbulluar paraprakisht te Italia, ndërsa te zikaltrit do të kishte mundësinë e një ambientimi gradual, duke qenë se në organikë është edhe një veteran si Alexis Sanchez.

Sa i përket mesfushës nuk parashikohen lëvizje të mëdha, me Vidal qe mund të largohet për shkak të pagës së lartë, ndërsa drejtuesit janë gati t’i japin duart edhe danezit Eriksen në rast të ndonjë oferte joshëse, për ta zëvendësuar më pas me kapitenin e Udineses, Rodrigo De Paul.

Shtuar 30.05.2021 10:44