Amir Rrahmani është kthyer në një lojtar të rëndësishëm për Napolin. Mbrojtësi i Napolit, që kryeson Serie A, ka folur për ndeshjen e së dielës kundër rivalëve të Milanit që kanë të njëjtën sasi pikësh me ta. Për radio “Kiss Kiss Napoli” ai ka deklaruar:
“Kundër Milanit do të mundohemi që të mos pësojmë gol. Ruajta e portës së paprekur është objektivi kryesor për ne mbrojtësit dhe portierin. Falënderoj tifozët që na mbështesin, ata që na kanë mbështetur në momentet e vështira. Ata janë tifozë të vërtetë”, tha fillimisht Rrahmani.
Të lidhura
None found
“E dimë që të dielën do të ketë shumë tifozë. Ne po stërvitemi shumë të përqendruar. Nuk është kjo ndeshja e fundit, janë të gjitha të rëndësishme. Jemi një skuadër në të cilën të gjithë mund të jenë vendimtarë duke shënuar gol”, shtoi lojtari i Napolit.
I ngacmuar për titullin kampion, mbrojtësi deklaroi: “Fjalën titull nuk e përmendim shumë, sepse jemi të vetëdijshëm që është akoma shpejt për të folur. Fitorja kundër Lazios ishte shumë e rëndësishme për të vazhduar të qëndronim në pjesën e lartë të renditjes.
Tani të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Mund të jenë të paktën 4-5 skuadra që luftojnë për titullin. Edhe Atalanta e Juventusi mund të futen në garë. Mund të ndodhë gjithçka. Ne duam që të kujtohemi si heronj, siç tha Spalletti. Do të mundohemi deri në ndeshjen e fundit.
Fitorja në momentin e fundit është gjithmonë diçka e bukur. Ne duam të fitojmë të gjitha ndeshjet. Edhe nëse do të ishim mundur në Romë, sërish do të provonim këtë objektiv”, u shpreh Rrahmani, i cili sezonin e shkuar me Gattuson nuk është se kishte shumë hapësira.
“Edhe kur kisha më pak hapësira besoja në aftësitë e mia. Shpresoj të vazhdoj kështu dhe ndoshta të bëj akoma më mirë. Kam nevojë për vazhdimësi. Është më e lehtë kur luan me Koulibaly. Është një lojtar i madh”, u shpreh Rrahmani në mbyllje të intervistës./ h.ll/albeu.com
