Kombëtarja e SHBA-së ka marrë një shtysë të pazakontë për vijimin e aventurës në Kupën e Botës 2026, pasi NASA ka premtuar se, në rast se amerikanët ngrejnë trofeun, një top futbolli do të dërgohet në Hënë.
Të lidhura
None found
Ky zotim u bë nga administratori i agjencisë hapësinore amerikane, Jared Isaacman, gjatë një përditësimi të NASA-s mbi programin Artemis dhe planet për të vendosur një prani të qëndrueshme njerëzore pranë polit jugor të Hënës.
“Pak motivim për ekipin e SHBA-së. Do ta kalojmë Alan Shepardin, i cili luajti golf në sipërfaqen hënore, dhe do të dërgojmë një top futbolli në Hënë”, deklaroi Isaacman.
Me këtë koment, Isaacman solli në vëmendje një nga episodet më të pazakonta të historisë së eksplorimit hapësinor. Alan Shepard, astronaut amerikan dhe komandant i misionit Apollo 14, kishte marrë fshehurazi me vete në Hënë dy topa golfi dhe një shkop të improvizuar.
Më 6 shkurt 1971, Shepard i goditi topat e golfit në sipërfaqen hënore dhe u bë kështu personi i parë që luajti një sport në një botë tjetër.
Ndërsa ajo që bëri Shepard ndodhi jashtë një miratimi formal, topi i futbollit që NASA synon të çojë në Hënë do të ishte pjesë e një nisme të autorizuar zyrtarisht nga agjencia. Ideja ka marrë mbështetje edhe nga Carlos García-Galán, menaxher i programit të NASA-s për Bazën në Hënë.
“Nuk e di ende se në cilën anije kozmike do të përfundojë topi, por do t’jua lë juve këtë përgjegjësi”, tha Isaacman, duke iu drejtuar García-Galánit.
Ky i fundit e pranoi sfidën me humor dhe tha se realizimi i një projekti të tillë do të ishte shumë emocionues, nëse Kombëtarja amerikane arrin të shpallet kampione bote.
Megjithatë, pavarësisht entuziazmit dhe mbështetjes së madhe si vend organizator, SHBA-ja ka ende përpara një rrugë shumë të vështirë në Kupën e Botës që po zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Në aspektin historik, Kombëtarja e meshkujve e SHBA-së nuk ka pasur ecuri të madhe në fazat me eliminim direkt të turneut. Para këtij edicioni, amerikanët kishin regjistruar vetëm dy fitore në ndeshje eliminatore në historinë e Kupës së Botës, dhe njëra prej tyre datonte që në vitin 1930.
Sidoqoftë, përfaqësuesja aktuale ka dhënë sinjale bindëse. SHBA-ja e mbylli grupin në vendin e parë, pasi mposhti Paraguain dhe Australinë, ndërsa disfata ndaj Turqisë nuk ndikoi në kryesimin e grupit.
Në takimin e parë të fazës eliminatore, amerikanët fituan 2-0 kundër Bosnjë-Hercegovinës. Tashmë, ata do të përballen me Belgjikën në raundin e 16-të, në një ndeshje që pritet të jetë një nga sprovat më të mëdha për skuadrën vendase.
Edhe nëse arrijnë të eliminojnë Belgjikën, SHBA-ja do të duhet të kalojë ende disa pengesa të forta përpara se të mendojë realisht për trofeun dhe për idenë e një topi futbolli në Hënë.
Kjo nuk do të ishte hera e parë që një top zyrtar i Kupës së Botës largohet nga planeti ynë. Më herët, NASA kishte dërguar një top të turneut në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor, ku astronautët u filmuan duke luajtur me të në modulin japonez Kibo.
Në një postim të publikuar në rrjetin social X më 20 qershor, NASA kishte theksuar se synimi i saj është të frymëzojë brezat e rinj, duke vënë në dukje lidhjen mes eksplorimit të hapësirës, inovacionit, sportit dhe jetës së përditshme.
Nëse SHBA-ja arrin ta bëjë realitet ëndrrën e madhe dhe të fitojë Kupën e Botës 2026, futbolli mund të shënojë një tjetër moment historik: një top i turneut më të madh të futbollit në botë mund të përfundojë në sipërfaqen e Hënës.

