Mauro Icardi është përfshirë sërish në një situatë të diskutueshme, këtë herë jashtë fushës së futbollit. Sulmuesi argjentinas ka humbur të drejtën për të drejtuar automjet në Argjentinë, pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale.
Në pamjet e bëra publike, Icardi shfaqet duke drejtuar makinën, ndërsa partnerja e tij, Eugenia “China” Suarez, qëndron e varur nga dritarja e automjetit.
Të lidhura
None found
Futbollisti, i cili së fundmi mbylli kontratën me Galatasarayn, vijonte të drejtonte mjetin në momentin kur Suarez hoqi rripin e sigurimit dhe nxori pjesën më të madhe të trupit jashtë dritares.
Pas publikimit të videos, Ministria e Transportit e provincës së Buenos Aires nisi ndërhyrjen e saj. Gjatë verifikimeve, rezultoi se Icardi kishte një patentë argjentinase të skaduar, ndaj ndaj tij u vendos një pezullim parandalues i drejtimit deri në vitin 2099.
Autoritetet argumentuan se një sjellje e tillë përbën rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e të gjithë përdoruesve të rrugës. Megjithatë, masa është parandaluese dhe Icardi mund të aplikojë sërish për patentë nëse dëshmon se është në gjendje të drejtojë në mënyrë të sigurt.
Reagimi i futbollistit nuk vonoi. Përmes rrjeteve sociale, ai kritikoi ashpër vendimin dhe qëndrimin e autoriteteve argjentinase.
“Do të doja të dija se si mund ta zhvlerësoni patentën time italiane të shoferit, e vlefshme deri në vitin 2029. Më duket mjaft e çuditshme që edhe Ministria e Transportit po merret me rastin tim. Do të ishte më mirë që të rregullonin rrugët në vend që të mos bënin asgjë”, deklaroi Icardi.
Sipas të dhënave në dispozicion, edhe pse ai zotëron një patentë italiane të vlefshme, Icardi duhej ta regjistronte atë në Argjentinë që në vitin 2019. Një procedurë e tillë, deri më tani, nuk është kryer.
