Kristal Abazaj pëson një dëmtim të rëndë, këput ligamentin e gjurit (FOTO LAJM)

Një dëmtim i rëndë në stërvitje pritet të mbajë jashtë fushave për disa muaj, sulmuesin anësor shqiptar Kristal Abazaj, i cili që prej verës së kaluar është pjesë e Istanbulsopor në Ligën e Parë turke, bashkë me shqiptarët e tjerë Eduart Rroca e Valon Et’hemi.

Ka qenë vetë futbollisti 25-vjeçar, që nëpërmjet rrjeteve sociale ka dhënë informacione për dëmtimin e rëndë, teksa ka premtuar se do të rikthehet në fushë sërish, këtë herë edhe më i fortë se më parë.

“Ditën e djeshme në stërvitje, pësova dëmtimin më të rëndë në karrierën time si futbollist. Pas disa vizitave doli përgjigja, që kam këputur ligamentin në gjurin e djathtë. Ky dëmtim do të më marrë kohën, por jo dëshirën, forcën e vullnetin për t’u rikthyer në fushë më i fortë se më parë”, shkroi sulmuesi në rrjetet sociale.

Abazaj e kishte nisur mjaft mirë këtë sezon në kampionatin turk, duke u aktivizuar si titullar në dy ndeshjet e para, por tani do të duhet të përballet me dëmtimin e rëndë, që pritet ta mbajë larg fushave përreth 5-6 muaj.


Shtuar 25.08.2021 19:19