Trajneri i Kosovës, Franco Foda, e konsideron Austrinë favorite në duelin e së dielës, ndërsa thekson se skuadra e tij i ka përmbushur të gjitha detyrat përpara kësaj sfide.
Të lidhura
None found
Tekniku gjerman pret që stadiumi të mbushet me tifozë kosovarë dhe beson se përfaqësuesja do të zhvillojë një paraqitje të mirë.
Gjatë konferencës për media, Foda rikujtoi paraqitjen e Kosovës në ndeshjen e fundit si mysafire, duke nënvizuar se ekipi është përgatitur menjëherë pas takimit me Irlandën. Ai tha se lojtarët janë rikuperuar, ndërsa kundërshtari është analizuar me kujdes.
Foda bëri të ditur se e njeh një pjesë të futbollistëve austriakë që nga koha kur ishte trajner dhe e di se çfarë e pret Kosovën. Sipas tij, Austria luan me agresivitet dhe ushtron presion të lartë, ndaj skuadra duhet të përgjigjet me kundërpresion. Megjithatë, ai theksoi se gjithçka do të vendoset në fushë nga detajet.
Trajneri i Kosovës përsëriti se Austria është favorite e grupit, por nënvizoi se në futboll çdo rezultat është i mundshëm. Pas fitores ndaj Irlandës, ai kërkoi nga lojtarët të japin maksimumin dhe të luajnë me agresivitet. Foda beson se prania e shumë tifozëve kosovarë në stadium dhe fitoret e mëparshme si mysafirë i japin ekipit vetëbesim për të zhvilluar një ndeshje të mirë.
Ndeshja do të luhet të dielën, duke nisur nga ora 18:00.
