Euro 2020, nisin ndeshjet e fundit në Grupe, Italia kundër Uellsit për vendin e parë

Nis sot xhiroja e fundit në Grupe në Kampionatin Europian. Siç është parashikuar, përballjet e fundit luhen në njëjtin orar ndaj dhe dy takimet Itali-Uells dhe Zvicër-Turqi do të zhvillohen në 18:00.

Sfida më interesante është sigurisht ajo mes Italisë dhe Uellsit në “Olimpico” ku në mes është vendi i parë në Grup.

Të kaltërve u mjafton një barazim për ta siguruar kualifikimin si fituesja e Grupit ndërsa Uellsi duhet të fitojë.

Nga ana tjetër ka edhe rrezikun nga poshtë pasi nëse humbet, kualifikimin direkt mund tja marrë Zvicra.

Helvetët do të luajnë shanset e fundit me Turqinë dhe duhet të fitojnë patjetër për të shpresuar për kualifikim direkt ose të paktën si e treta më e mirë.

Edhe Turqia ka shanse për të avancuar më tej nëse fiton me Zvicrën dhe të presë më pas për t’u krahasuar me të tretat e tjera të grupeve.

 


Shtuar 20.06.2021 08:38