Granit Xhaka mund të përballet me një dënim maksimal prej pesë vitesh burg nëse shpallet fajtor në lidhje me certifikatën e COVID-19, çështje për të cilën autoritetet zvicerane kanë nisur hetime.
Të lidhura
None found
Kapiteni i Kombëtares së Zvicrës dyshohet se ka siguruar një dëshmi vaksinimi kundër COVID-19, edhe pse nuk ishte vaksinuar. Prokuroria e Lucernës ka hapur procedurë penale ndaj tij dhe një mjekeje nga Lucerna. Xhaka pritet të merret në pyetje në fillim të tetorit.
Eksperti i së drejtës penale, Andre Kuhn, i cituar nga “Blick”, ka shpjeguar se falsifikimi i dokumenteve në Zvicër parashikon dënim me gjobë ose burgim deri në pesë vjet.
Sidoqoftë, sipas Kuhn, mundësia e një dënimi maksimal nuk nënkupton se Xhaka do të përfundojë domosdoshmërisht në burg për pesë vjet. Në përcaktimin e masës së dënimit mund të ndikojnë disa rrethana, ndërsa për personat pa precedentë penalë parashikohet edhe një gjobë ose dënim me kusht.
Kuhn ka sqaruar gjithashtu se një person pa precedentë mund të marrë një dënim financiar me kusht, krahas të cilit mund të vendoset edhe një gjobë deri në 10 mijë franga zvicerane.
“Falsifikimi i dokumenteve mund të dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet”, ka deklaruar eksperti për “Blick”.
Vetë Xhaka e ka pranuar se siguroi certifikatën e vaksinimit dhe e ka cilësuar këtë veprim si një gabim.
“Në atë gjendje të trazuar emocionale, sigurova një certifikatë vaksinimi, në vend që t’i sqaroja pyetjet e mia përmes kanaleve të duhura. Sot e kuptoj qartë se kjo ishte qasje e gabuar. Ishte një gabim. Më vjen keq. Marr përgjegjësinë për këtë vendim”, kishte deklaruar Xhaka.
33-vjeçari pritet të dëgjohet nga autoritetet zvicerane në fillim të tetorit. Pas marrjes në pyetje do të vendoset edhe mënyra se si do të vijojë procedura ndaj tij.
