Andrej Zhernovski, anëtar i Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, e akuzoi ministrin e Jashtëm dhe zëvendëskryeministrin Timço Mucunski se ka dhënë deklarata që bien ndesh me njëra-tjetrën lidhur me bisedimet e pretenduara për zhbllokimin e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Të lidhura
None found
Në një konferencë për shtyp, Zhernovski tha se më 3 gusht disa media transmetuan deklarata të Mucunskit, sipas të cilave bisedimet për zhbllokimin e integrimit evropian po zhvilloheshin “nën radar”. Mirëpo, siç theksoi ai, dhjetë ditë më vonë ministri i mohoi këto pretendime dhe e akuzoi opozitën për përhapje të gënjeshtrave.
“Nuk bëhet fjalë për ndonjë heshtje, nuk bëhet fjalë për ndonjë mohim, sigurisht, për sa i përket Mucunskit, ai thjesht u kap në gënjeshtër”, deklaroi Zhernovski.
Sipas tij, një sjellje e tillë është pjesë e strategjisë më të gjerë politike të OBRM-PDUKM-së në pushtet. Ai e kritikoi Qeverinë se, në vend që të tregojë rezultate, po përqendrohet te sulmet kundër opozitës dhe kritikëve.
Zhernovski pretendoi se Mucunski tashmë po ndërhyn edhe në temat e brendshme politike, pasi më herët, siç u shpreh ai, ishte marrë me gjendjen në Komunën e Aerodromit dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Gjithashtu, ai e akuzoi Mucunskin se po kërcënon opozitën dhe qytetarët që ngrenë alarmin për probleme të caktuara.
Në këtë kuadër, Zhernovski iu referua reagimit të LSDM-së për situatën me ujin e pijshëm në Gostivar, si dhe vonesës së reagimeve për ethet e Nilit Perëndimor. Sipas vlerësimit të tij, Qeveria nuk po ofron përgjigje dhe informacione, por po paralajmëron pasoja për personat që e kritikojnë./Telegragfi/
