I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka deklaruar se procesi i Brukselit nuk ka përfunduar dhe se po vijon të prodhojë rezultate konkrete.
Të lidhura
None found
Gjatë një interviste për të përditshmen serbe Danas, Sorensen ka veçuar përparimin e arritur së fundmi për çështjen e personave të zhdukur, si dhe disa marrëveshje praktike që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.
“Dialogu është ende në zhvillim dhe ka sjellë rezultate konkrete. Ndër to përfshihen përparimi i fundit për personat e zhdukur dhe marrëveshjet praktike që prekin jetën e qytetarëve”, ka deklaruar ai.
Megjithatë, ndërmjetësi evropian ka theksuar se zbatimi i Marrëveshjes së vitit 2023, së bashku me Aneksin e saj të Ohrit, mbetet në nivel të pamjaftueshëm.
Sipas tij, Kosova dhe Serbia duhet të përshpejtojnë përmbushjen e detyrimeve të marra, pasi procesi i normalizimit nuk ka alternativë.
“Zbatimi i Marrëveshjes së vitit 2023 vazhdon të jetë i pamjaftueshëm. Të dyja palët duhet të ecin më shpejt në përmbushjen e obligimeve të tyre. Procesi i normalizimit nuk ka alternativë”, ka thënë Sorensen.
I pyetur për ndikimin e krizës institucionale në Prishtinë në punën e tij, ai nuk ka komentuar politikën e brendshme të Kosovës. Sorensen ka nënvizuar, megjithatë, se funksionimi i institucioneve është i rëndësishëm për marrjen e vendimeve dhe zbatimin e marrëveshjeve.
“Institucionet plotësisht funksionale, natyrisht, e bëjnë më të lehtë marrjen e vendimeve dhe zbatimin e tyre. Por obligimet e dakorduara në kuadër të dialogut për normalizimin mbeten në fuqi, pavarësisht cikleve zgjedhore dhe politike”, ka deklaruar ai.
BE-ja, sipas Sorensenit, do të vijojë të ndërmjetësojë dialogun dhe të ndihmojë në zbatimin e detyrimeve nga të dyja palët.
Lidhur me kërkesën që Prishtina të nisë negociatat për “marrëveshjet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb”, ai ka sqaruar se bëhet fjalë për një detyrim të njohur prej kohësh.
“Kjo nuk përbën një kërkesë të re. Është një obligim i kahershëm, i përfshirë edhe në Aneksin e zbatimit të dakorduar në Ohër në mars të vitit 2023”, ka thënë Sorensen.
Ai ka përsëritur se Bashkimi Evropian pret zbatimin e plotë, nga Kosova dhe Serbia, të të gjitha detyrimeve të përcaktuara në marrëveshjen e vitit 2023 dhe në aneksin e saj.
“Ndryshimet politike ose zgjedhore nuk i prekin këto obligime”, ka deklaruar ndërmjetësi i BE-së.
Për sistemin e drejtësisë në Kosovë, Sorensen ka thënë se BE-ja e mirëpriti tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit mbështetës serbë. Ai ka shprehur shqetësim për vendimet e marra më pas, të cilat kanë ndikuar në këtë proces.
“Bashkimi Evropian vazhdon të vërë në dukje rëndësinë e sundimit të ligjit dhe të një sistemi gjyqësor që pasqyron karakterin multietnik të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Duke iu përgjigjur pretendimit të Beogradit se dialogu duhet të bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Sorensen ka theksuar se procesi i udhëhequr nga BE-ja mbështetet në një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja bazohet në Rezolutën 64/298 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të vitit 2010. Ajo rezolutë mirëpriti gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të ndërmjetësuar dialogun”, ka thënë Sorensen.
Ai ka pranuar se Kosova dhe Serbia kanë ende qëndrime të kundërta për statusin, por ka theksuar se pikërisht kjo mospërputhje e bën të nevojshëm dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.
Sorensen ka shpjeguar se synimi i këtij procesi është t’u krijojë palëve mundësinë të zgjidhin çështjet praktike, të normalizojnë raportet dhe të zbatojnë angazhimet që i kanë marrë tashmë.
Sa i përket rolit të Shteteve të Bashkuara, ai ka nënvizuar se dialogu drejtohet dhe ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ndërsa SHBA-ja mbetet një partner i rëndësishëm.
“Shtetet e Bashkuara janë partner i rëndësishëm dhe bashkërendimi i ngushtë mes BE-së dhe SHBA-së e mbështet procesin e normalizimit”, ka deklaruar ai.
Sipas të dërguarit evropian, përgjegjësia përfundimtare për zbatimin e marrëveshjeve u takon Kosovës dhe Serbisë.
“Partnerët e jashtëm mund ta lehtësojnë dhe ta mbështesin procesin, por përmbushja e detyrimeve mbetet përgjegjësi e vetë palëve”, ka theksuar Sorensen.
I pyetur për pretendimin se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ka mandat kushtetues për të negociuar dhe se disa nga zgjidhjet e dakorduara në Ohër bien ndesh me Kushtetutën e Serbisë, ai ka thënë se BE-ja nuk ndërhyn në çështjet e brendshme kushtetuese të palëve.
“Bashkimi Evropian nuk merr vendime për çështjet që lidhen me marrëveshjet e brendshme kushtetuese të njërës prej palëve”, ka deklaruar ai.
Megjithatë, Sorensen ka ripërsëritur qëndrimin e BE-së se Marrëveshja e vitit 2023 dhe Aneksi i zbatimit janë detyruese për Kosovën dhe Serbinë.
“Pozicioni i BE-së është i qartë: Marrëveshja e vitit 2023 dhe Aneksi i saj i zbatimit janë obligues për të dyja palët dhe pjesë e rrugës së tyre evropiane. BE-ja pret që të dyja palët t’i përmbushin plotësisht detyrimet e tyre”, ka përfunduar Sorensen.
