VLEN ka reaguar përmes një deklarate për media pas lirimit nga arresti shtëpiak dhe festimeve të mbrëmshme për Artan Grubin, transmeton InfoShqip.com.
Të lidhura
None found
Partia vlerëson se ish-zyrtari i BDI-së, edhe pse nuk ndodhet më në arrest shtëpiak, nuk mund të konsiderohet plotësisht i lirë. Sipas VLEN-it, pavarësisht pazareve të mundshme, lidhjeve të vjetra të BDI-së në drejtësi apo kontakteve me skemat e nëntokës, Grubi do të duhet të përballet për një kohë të gjatë me pasojat e veprimeve të tij gjatë pushtetit.
VLEN thekson se ndaj tij ekziston një aktakuzë dhe se, edhe nëse Përparim Bajrami është i gatshëm të sakrifikohet për të, ajo do të mbetet një barrë e rëndë për Grubin. Në deklaratë ngrihet gjithashtu pyetja se përse ai, pas një viti në arrati, u paraqit vetë në kufi dhe përfundoi vetëm në arrest shtëpiak. Sipas partisë, afati maksimal për zgjatjen e arrestit kishte përfunduar, ndërsa Grubi tash mund të lëvizë vetëm brenda Shkupit dhe duhet të paraqitet rregullisht në gjykatë. Për këtë liri të kufizuar, thuhet më tej, ai ka dhënë garanci prej 350 mijë eurosh.
VLEN e cilëson si një shfaqje festimin e organizuar nga rreth dhjetë mbështetës me fishekzjarre tifozësh, duke pretenduar se pamja e frikësuar dhe e zbehtë e Grubit tregonte më shumë se çdo deklaratë. Partia kritikon edhe Bujar Osmanin, i cili, sipas saj, gjatë një interviste u përpoq të tërhiqte pas vetes deklaratat kundër Grubit të bëra gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale. VLEN thotë se Osmani, nga ish-shef i diplomacisë, përfundoi në rolin e tifozit të një personi të listës së zezë të SHBA-së.
Në deklaratë vihet në dukje edhe mungesa e “pishtarit të Ali Ahmetit”. Sipas VLEN-it, Ahmeti disa herë, përmes deklaratave, u përpoq pa sukses ta paraqiste si meritë të tij zëvendësimin e arrestit shtëpiak me masa më të lehta për ish-bashkëpunëtorin e tij më të afërt dhe trashëgimtarin pa kurorë. “Mos vallë Artan Grubi ka marrë detyrë ta çajë BDI-në më dysh?”, pyet VLEN.
Megjithatë, VLEN i uron Grubit shëndet dhe kondicion të mirë, duke shprehur pritjen që ai t’i rikthehet mënyrës së tij të njohur arrogante të komunikimit, për të cilën partia pretendon se ia dëmtonte rejtingun BDI-së më shumë se kushdo tjetër. Sipas VLEN-it, për sa kohë Grubi është i lirë dhe ia vështirëson edhe më tej BDI-së reformën e domosdoshme të kuadrove, ai përbën garancinë më të mirë dhe më të fortë për fitoren e VLEN-it në çfarëdo zgjedhjesh.





