Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se lindjet në Maqedoninë e Veriut vijojnë të shpërndahen në mënyrë të pabarabartë nga një rajon në tjetrin, me përqendrimin më të madh në zonat urbane dhe sidomos në rajonin e Shkupit.
Të lidhura
None found
Sipas statistikave zyrtare, 60.2 për qind e të gjitha lindjeve janë evidentuar në mjediset urbane, ndërsa vetëm rajoni i Shkupit përfshin 41.6 për qind të totalit. Në krahun tjetër, rajoni i Lindjes paraqet pjesëmarrjen më të ulët në nivel vendi, me vetëm 6.1 për qind të lindjeve.
Të njëjtat të dhëna nxjerrin në pah se shtimi natyror i popullsisë vazhdon të jetë negativ si në qytete, ashtu edhe në fshat. Në zonat urbane janë regjistruar 9.535 lindje dhe 12.902 vdekje, çka e çon shtimin natyror në -3.367 banorë.
Edhe në zonat rurale bilanci mbetet negativ, pasi janë regjistruar 6.315 lindje dhe 7.385 vdekje, me një shtim natyror prej -1.070 banorësh.
Këto statistika riafirmojnë prirjen e vazhdueshme të uljes së natalitetit dhe të plakjes së popullsisë, ndërsa hendeku mes rajoneve të vendit mbetet i dukshëm.

