Mbi 41 mijë hektarë të përfshirë nga zjarret në Maqedoni gjatë vitit 2026, mbi 30 të ndaluar nën dyshimin për zjarrvënie

Zjarret e këtij sezoni kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në Maqedoni, me dhjetëra mijëra hektarë të djegur, humbje që arrijnë në miliona euro dhe dhjetëra persona të marrë nën hetim për zjarrvënie të dyshuar si të qëllimshme.

Të lidhura

None found

Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2026 janë regjistruar rreth 41 mijë hektarë sipërfaqe të djegura. Ndërkohë, Ndërmarrja Publike Pyjet Kombëtare ka evidentuar 138 zjarre në hapësira pyjore deri në fund të korrikut, ndërsa dëmet e shkaktuara deri atëherë kapnin vlerën e më shumë se 4 milionë eurove.

Situata me zjarret vijoi edhe gjatë gushtit dhe shtatorit, për shkak të temperaturave të larta. Për këtë arsye, bilanci përfundimtar i dëmeve ende nuk është përllogaritur.

Zëvendësdrejtori i Ndërmarrjes Publike Pyjet Kombëtare, Kire Mihailov, deklaroi se numri i zjarreve deri në shtator pritej të arrinte në rreth 150, duke paralajmëruar se ky do të ishte edhe bilanci me të cilin do të mbyllej viti. Ai tha gjithashtu se dëmet deri në muajin e shtatë kishin kaluar 4 milionë euro, pa përfshirë zjarret e mëdha që ende nuk ishin llogaritur, mes tyre edhe ai në Kitkë, i cilësuar si një nga zjarret më të mëdha të këtij viti.

Deri në përfundim të muajit gusht, policia ka ndaluar 30 persona të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme.

Sipas Kire Mihailovit, më shumë se 30 persona janë ndaluar gjatë vitit 2026 nën dyshimin se kanë shkaktuar zjarre në mënyrë të qëllimshme. Ai bëri të ditur se procedurat vijojnë në gjykatë dhe prokurori, duke e cilësuar këtë si një numër serioz rastesh.

Enti Shtetëror i Revizionit raporton se vetëm gjatë viteve 2023 dhe 2025, në pyjet e vendit janë shkatërruar nga zjarret mbi 82 mijë hektarë tokë dhe më shumë se 914 mijë metra kub dru.

Për këtë periudhë, dëmet financiare janë vlerësuar në rreth 133 milionë euro. Sipas statistikave, viti 2024 rezulton si më i rëndi, me humbje të përllogaritura në mbi 83 milionë euro, përcjell Zhurnal.mk.