Analisti boshnjak Adi Çerimagiq ka komentuar qëndrimet e Aleksandar Vulinit, ish-ministrit serb të Mbrojtjes dhe ish-drejtorit të inteligjencës, i cili e sheh përkrahjen e presidentit rus Vladimir Putin për Aleksandar Vuçiqin si të lidhur me idenë e bashkimit të serbëve në kuadër të konceptit të “Botës Serbe”.
Duke iu referuar një interviste të Vulinit, Çerimagiqi ka theksuar se ai nuk e interpreton mbështetjen e Moskës vetëm si përkrahje për Vuçiqin, të cilin Putini e konsideron kryeministër të ardhshëm të Serbisë, por edhe si mbështetje për bashkimin e serbëve që jetojnë në shtete të ndryshme.
Të lidhura
None found
Gjatë intervistës, Vulin ka mbështetur deklaratat e Putinit se serbët janë ndarë në mënyrë të padrejtë mes disa shteteve dhe se, sipas presidentit rus, ata po dënohen për një faj që nuk e kanë bërë.
“Kjo nuk ishte mbështetje vetëm për presidentin Vuçiq (…). Kjo është mbështetje për konceptin e Botës Serbe, është mbështetje për bashkimin e serbëve”, ka deklaruar Vulin.
Sipas Çerimagiqit, ish-zyrtari serb beson se zhvillimet e reja në rendin ndërkombëtar kanë krijuar rrethana në të cilat bashkimi i serbëve nuk shihet më si një ide e pamundur.
“Bota po ndryshon. Ajo që deri dje ishte e paimagjinueshme, që serbët të bashkohen, tani është shumë e imagjinueshme”, ka thënë Vulin.
Vulin, i cili ia ka atribuuar presionit të Bashkimit Evropian faktin që aktualisht nuk mban një detyrë qeveritare, ka deklaruar se kandidimi i tij për president synon ta kthejë mbështetjen ruse në hapa konkretë politikë.
“Është në dorën tonë dhe të kësaj gjenerate politikanësh të bëjmë gjithçka që mbështetjen e presidentit Putin, atë mbështetje të hapur për unitetin e popullit serb, ta shndërrojmë në realitet”, ka deklaruar ai.
Ai ka paraqitur edhe një strategji të përbërë nga dy etapa. Së pari, qytetarët duhet të votojnë për listën e drejtuar nga Vuçiqi në zgjedhjet parlamentare në Serbi. Më pas, sipas tij, duhet të zgjidhet një president që do të angazhohet për “Botën Serbe” dhe bashkimin e të gjithë serbëve. Vulin nuk e ka fshehur synimin që këtë detyrë ta marrë vetë.
Çerimagiqi ka vënë në dukje se deklaratat e Vulinit bashkojnë përkrahjen e Moskës për udhëheqjen aktuale të Serbisë me një projekt politik që synon shtrirjen e bashkimit të serbëve përtej kufijve shtetërorë.
“Bota Serbe” përkufizohet si një ide për forcimin e lidhjeve kombëtare dhe politike mes serbëve në shtete të ndryshme të rajonit. Por deklaratat për bashkimin e tyre kanë shkaktuar shqetësime lidhur me sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku çështjet kufitare dhe marrëdhëniet mes komuniteteve vazhdojnë të jenë tepër të ndjeshme.






