Kosova ka paraqitur kërkesën e saj të parë zyrtare për disbursimin e fondeve nga Instrumenti i Bashkimit Evropian për Reforma dhe Rritje. Në këtë kërkesë janë përfshirë reformat e përmbyllura deri më 30 qershor.
Të lidhura
None found
Lajmin e ka bërë publik Jeton Zulfaj, kryenegociator i Kosovës me BE-në dhe njëherësh Koordinator Kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje. Ai njoftoi se dokumentacioni është dorëzuar brenda afatit të përcaktuar.
Sipas Zulfajt, kërkesa përfshin të gjitha masat e realizuara të parapara në Agjendën e Reformave, përfshirë edhe ato që janë finalizuar para kohës së caktuar.
Bashkimi Evropian do të ketë në dispozicion tre muaj për të shqyrtuar provat e paraqitura nga Kosova, ndërsa më pas do të vendoset për lirimin e mjeteve financiare.
Në aplikim nuk janë përfshirë gjashtë hapa reformues që nuk u përmbushën deri në afat, për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit, bëri të ditur ai.
“Pesë prej tyre përmbanin ligje që duhej të kalonin në Kuvend, ndërsa një ishte hap që nuk mund ta aprovonte Qeveria në detyrë”, ka deklaruar Zulfaj.
Ai theksoi se bllokada parlamentare ka dëmtuar jo vetëm dinamikën e zbatimit të reformave, por edhe qasjen në fondet e BE-së të destinuara për zhvillimin dhe integrimin e Kosovës.
“Nëse Kuvendi do të ishte funksional, të gjithë hapat do të arriheshin në kohë. Nëse nuk do të kishim bllokadën në Kuvend, Kosova do t’i printe rajonit në përmbushjen e reformave”, ka shkruar Zulfaj.
Hapat që kanë mbetur pa u realizuar do t’i dërgohen legjislaturës së re sapo ajo të konstituohet, sipas tij.
Zulfaj njoftoi se kërkesa e ardhshme e Kosovës për lirimin e fondeve pritet të paraqitet më 15 janar 2027. Deri në fund të këtij viti, institucionet duhet të përmbushin dhjetëra hapa të tjerë reformues.
Instrumenti i BE-së për Reforma dhe Rritje është krijuar për të ndihmuar shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke financuar reforma që ndërlidhen me zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian.
