Izet Mexhiti, bashkëkryetar i VLEN-it dhe kryetar i Komunës së Çairit, ka deklaruar se bashkëpunimi ndërshqiptar nuk duhet të mbetet thjesht në nivel deklaratash, por të kthehet në një përkushtim të vazhdueshëm përmes projekteve konkrete që sjellin dobi për qytetarët.
Në fjalën e tij në Konferencën kushtuar agjendës së përbashkët ndërshqiptare, ai veçoi disa fusha që, sipas tij, kanë hapësirën më të madhe për bashkëveprim. Mexhiti përmendi arsimin, kulturën, ekonominë dhe turizmin si bazat kryesore mbi të cilat duhet të ngrihen nisma të përbashkëta.
Të lidhura
None found
Ai përmendi gjithashtu edhe raste konkrete të këtij bashkëpunimi, duke përfshirë organizimin e Panairit Shqiptar në Shkup dhe Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës, i cili do të zhvillohet në Çarshinë e Shkupit me pjesëmarrjen e artistëve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Një vëmendje të veçantë gjatë fjalimit të tij ai ua kushtoi të rinjve. Sipas Mexhitit, ata nuk përfaqësojnë vetëm të ardhmen, por janë edhe pjesë e rëndësishme e së tashmes, prandaj duhet të kenë më shumë hapësirë dhe përgjegjësi në proceset e vendimmarrjes.
Në fund, Mexhiti theksoi se një agjendë që u shërben shqiptarëve kudo që jetojnë dhe që hap më shumë mundësi për brezat e ardhshëm mund të ndërtohet vetëm përmes besimit, bashkëpunimit dhe angazhimit të përbashkët.
