Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, do të qëndrojë nesër në Sofje, ku në kuadër të konferencës së Procesit të Bashkëpunimit të EJL-së do të zhvillojë një takim dypalësh me Kryetaren e Parlamentit të Bullgarisë, Mihaela Milcheva Dotsova, si dhe do të mbajë një fjalim.
Para gazetarëve, në takimin e sotëm, Gashi bëri të ditur se në fokus të bisedimeve do të jetë bashkëpunimi parlamentar, duke nënvizuar se deri tani ai nuk ka qenë intensiv. Sa u përket ndryshimeve kushtetuese, ai tha se do të ritheksojë qëndrimet që tashmë janë bërë publike, të cilat sipas tij përfaqësojnë si pozicionin shtetëror, ashtu edhe bindjen e tij personale.
Të lidhura
None found
“Duhet të flasim, duhet të ecim përpara, të gjejmë një mënyrë për të qenë së bashku në BE. Mendoj se e ardhmja duhet të na bashkojë, jo e kaluara, kështu që po shkoj me mendim pozitiv dhe dua të marr pjesë në përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona dhe dy parlamenteve”, tha Gashi.
Duke folur për raportet mes dy kuvendeve, ai theksoi se situata politike në Bullgari dhe zgjedhjet e shpeshta atje kanë pamundësuar deri më tani krijimin e një komunikimi të mirëfilltë dhe të drejtpërdrejtë me parlamentin bullgar.
“Tani po përpiqemi të krijojmë komunikim të mirë me përbërjen e re pas zgjedhjeve parlamentare atje”, tha Gashi.
Në takimin që po mbahet në Sofje tashmë janë të pranishëm dy deputetë, ndërsa Gashi do t’u bashkohet atyre nesër.
Një javë më parë, në kuadër të SEECP-së që u drejtua nga Bullgaria, në takime në Sofje morën pjesë edhe Presidentja Gordana Sijanovska Davkova dhe Ministri i Jashtëm Timcho Mucunski.
