Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, të mërkurën e quajti Rusinë “shtet terrorist” që bën “terror dhe vrasje”, pasi një foshnje u vra në një repart të maternitetit pas një sulmi me raketa, në një spital në pjesën jugore të Zaporizhjas.
“Edhe një herë, armiku vendosi të tentojë ta arrijë përmes terrorit dhe vrasjeve atë që nuk ka qenë në gjendje ta arrijë që nëntë muaj dhe që nuk do të mund ta arrijë”, tha Zelensky në Facebook, pas sulmit që ndodhi në spitalin e Vilnyansk.
“Në vend të kësaj, kjo do të shërbejë vetëm si dëshmi për të gjithë të keqen që i është sjellë vendit tonë”, shtoi ai.
Sulmi erdhi përderisa betejat në rajonet lindore të Donetsk dhe Luhansk janë intensifikuar, pas ofensivave nga Rusia.
“Gjatë natës, përbindësha rusë qëlluan me raketa të mëdha në repartin e vogël të maternitetit të spitalit në Vilnyansk. Zemrat i kemi plot dhimbje – një foshnjë që sapo kishte ardhur në këtë botë u vra”, shkroi guvernatori rajonal Oleksandr Starukh në Telegram.
Shërbimet e urgjencës thanë se ekipet e shpëtimit arritën t’i shpëtonin dy persona nga rrënojat e repartit të maternitetit.
Në fushën e betejës, forcat ukrainase zmbrapsën sulme të shumta ruse në Donjeck dhe Luhansk, sipas informatave të dhëna nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës të mërkurën.
Rusia ka nisur një ofensivë përgjatë frontit në perëndim të Donjeckut, duke përdorur disa nga forcat që u tërhoqën nga Hersoni.
“Armiku nuk po ndalet së bombarduari pozicionet e trupave tona dhe vendbanimet pranë vijës së frontit (në rajonin e Donjeckut)”, tha ushtria ukrainase.
Ushtria ukrainase tha se i zmbrapsi sulmet ruse në 11 lokacione në Donjeck dhe Luhansk, duke përfshirë këtu në Bilohoryivka, Bakhmut, Kurdyumivka dhe Severniy.
“Gjatë ditës së kaluar, armiku nisi pesë sulme me raketa në zonat e populluara të rajoneve të Harkiv dhe Donjeck dhe kreu rreth 45 sulme me raketa të shumëfishta në pozicionet e trupave tanë”, tha ai.
Ushtria ukrainase tha gjithashtu se ka identifikuar një qendër për trajnimin e operatorëve të dronëve të prodhimit rus dhe iranian në Sevastopol, në Krimenë e pushtuar nga Rusia.
“Kohëzgjatja e trajnimit për operatorët e specializuar të dronëve është deri në tri javë. Aktualisht po trajnohen rreth 30 ushtarakë,” shtoi ushtria.
Deklarata erdhi pasi guvernatori i Sevastopolit, i vendosur nga Moska, tha se mbrojtja ajrore ruse zmbrapsi një sulm me dronë në një central elektrik dhe për ngrohje në lagjen Balaklava të qytetit.
Mykhaylo Razvozhayev tha se, mbrëmjen e së martës, dy dronë u rrëzuan përderisa i afroheshin fabrikës që ndodhet afër Sevastopolit.
Flota ruse e Detit të Zi zmbrapsi edhe një sulm tjetër nga tre dronë të martën, tha ai në Telegram, duke shtuar se nuk ishte shkaktuar asnjë dëm.
Razvozhayev fajësoi ushtrinë ukrainase për këto sulme. Ukraina nuk i ka komentuar akuzat e Razvozhayev.
Të mërkurën, Ministria britanike e Mbrojtjes tha në raportin e saj të përditshëm të inteligjencës se, që nga shtatori, Rusia besohet të ketë përdorur kundër Ukrainës qindra dronë të prodhuar nga Irani.
“Komandantët rusë mund gjithashtu të kenë dashur që UAV-të (pajisjet ajrore pa pilotë brenda, si dronët) me origjinë iraniane t’i kenë për cak ndërtesat mjekësore dhe t’i godasin ato me municione të drejtuara nëse identifikohen”, thuhet në raportin e inteligjencës britanike.
Përdorimi i dronëve nga Rusia besohet se kishte synim kompensimin e mungesës së raketave lundruese, thuhet në raport, duke shtuar se ky qëllim ka pasur sukses të pjesshëm dhe se shumica e dronëve janë neutralizuar.
Forcat ukrainase kanë vazhduar me një kundërofensivë në jug të Ukrainës dhe në fillim të këtij muaji rimorën Hersonin, kryeqytetin e rajonit në kufi me gadishullin.
Zelensky tha të martën, në një fjalim para politikanëve komunalë francezë, se ushtria ukrainase ka çliruar më shumë se 1.800 vendbanime nga pushtimi rus deri më tani dhe synon të çlirojë edhe rreth 2.000 të tjera.
“Pasojat e okupimit janë shumë të ngjashme në çdo vend”, tha ai. “Çdo gjë që ushtarët rusë patën mundësi ta minojnë, e minuan. Çdo gjë që pushtuesit patën mundësi ta plaçkitin, e plaçkitën”./rel