Futbollistët e Vushtrrisë do të luajnë ndeshjen e ardhshme kundër Dritës, pasi bojkotuan takimin me Ballkanin për të shprehur pakënaqësinë ndaj situatës në klub dhe pagave të papaguara.
Grupi i tifozëve “Forca” ka njoftuar se, pas disa takimeve mes përfaqësuesve të tifozëve, lojtarëve dhe kryesisë së klubit, palët kanë arritur marrëveshje për zgjidhjen e situatës.
Të lidhura
None found
Në komunikatën e publikuar, “Forca” e ka cilësuar marrëveshjen si zhvillim pozitiv, por ka kërkuar që angazhimet e ndërmarra të përmbushen dhe të mos mbeten vetëm premtime.
Sipas tifozëve, futbollistëve u duhen siguri, kushte dinjitoze dhe vlerësim për punën e tyre. Ndërkaq, klubi duhet të udhëhiqet me seriozitet, transparencë dhe përgjegjësi.
“FC Vushtrria është më shumë se një klub futbolli – është krenaria e qytetit tonë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e grupit të tifozëve.
Skuadra rikthehet në fushë në një periudhë të vështirë: Vushtrria gjendet në vendin e fundit të Superligës së Kosovës, me gjithsej tri pikë.
Vështirësive sportive u shtohet edhe rinovimi i stadiumit të qytetit, për shkak të të cilit Vushtrria po i zhvillon ndeshjet si vendase jashtë qytetit.
Pas marrëveshjes, fokusi është te përballja me Dritën dhe te hapat që klubi do të ndërmarrë për të dalë nga kriza sportive dhe organizative.







