Ukraina fillon kundërofensivën? Rusia njofton për sulme në 5 pika të frontit në Donetsk

Rusia njoftoi sot se forcat e saj penguan një ofensivë të madhe ukrainase në pesë pika përgjatë frontit në rajonin jugor të Ukrainës të Donetskut dhe vranë qindra ushtarë ukrainas, raporton Reuters.

Nuk ishte menjëherë e qartë nëse sulmi i raportuar ishte fillimi i një kundërofensivë ukrainase që Kievi e ka premtuar prej muajsh për të rimarrë territorin e pushtuar nga forcat ruse pas një pushtimi në shkurt të vitit 2022.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se Ukraina kishte sulmuar me gjashtë batalione të mekanizuara dhe dy batalione tankesh në Donetskub jugor, ku Moska dyshonte prej kohësh se Ukraina do të kërkonte të hapte një pykë në territorin e kontrolluar nga Rusia, sipas Reuters.

“Në mëngjesin e 4 qershorit, armiku filloi një ofensivë në shkallë të gjerë në pesë sektorë të frontit në drejtim të Donetskut Jugor”, tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë të postuar në Telegram.

“Qëllimi i armikut ishte të depërtonte mbrojtjen tonë, sipas mendimit të tyre, në sektorin më të rrezikuar të frontit”, thuhet në deklaratë. Armiku nuk i kreu detyrat, nuk ia doli”, thuhej më tej.

Reuters tha se nuk mund ta konfirmonte menjëherë deklaratën ruse dhe ministria e mbrojtjes dhe ushtria e Ukrainës nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave me shkrim për koment.

Në raportin ditor të Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, thuhet vetëm se në zonat e Donetskut dhe Luganskut ka pasur 29 përleshje luftarake.

Ministri ukrainas i Mbrojtjes Alexey Reznikov postoi një mesazh të fshehtë në Twitter të dielën, duke cituar këngën e Depeche Mode “Enjoy the Silence”.

“Fjalët janë shumë të panevojshme, ato vetëm mund të dëmtojnë”, thuhet në postimin e tij në Twitter.


Shtuar 5.06.2023 07:56