U raportua e zhdukur nga burri, gjendet në humnerë trupi i gruas në Malësi të Madhe

Ditën e sotme policia ka gjetur trupin e shtetases Shpresa Hasramaj e cila u denoncua e zhdukur nga bashkëshorti i saj në Malësi të Madhe ku deklaroi se ajo mund të ishte vetëhedhur.

Ndërsa sot, policia ka dalë me njoftimin zyrtar ku bëhet me dije se ishte gjetur trupi i pajetë i saj.

Dyshimet paraprake janë se është vetëhedhur, por ndërsa nuk bëhen me dije ende motivet, dyshimet kanë vazhduar për të përcaktuar saktësisht shkakun e kësaj ngjarje të rëndë.

Njoftimi i Plotë:

Malësi e Madhe, Shkodër

Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme për kërkimet për shtetasen Sh. H., 48 vjeçe, që dyshohej se ishte vetëhedhur në një grykë (shpellë) në fshatin Meshqerraj, bëjmë me dije se mëngjesin e sotëm kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, forcat e RENEA-s dhe të FNSH Shkodër, me mjete më të specializuara.

Në kushte shumë të vështira, shërbimet e Policisë kanë mundur të hyjnë në vendin ku dyshohej se ishte vetëhedhur shtetasja Sh. H. dhe kanë bërë të mundur gjetjen e trupit të pajetë dhe nxjerrjen e tij nga vendi ku ishte hedhur 48-vjeçarja.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon për të sqaruar me detaje motivet e kësaj ngjarjeje. /albeu.com/

 


Shtuar 26.12.2021 14:38