“The Sun”: Suella Braverman po përgatitet për një tjetër goditje ndaj emigrantëve shqiptarë

“Suella Braverman po përgatitet për një tjetër goditje ndaj emigrantëve shqiptarë”, kështu shkruan tabloidi britanik ‘The Sun’ .

Më tej theksohet se kryeministri Rishi Sunak e ka prioritet çështjen e shifrave të azilkërkuesve që hyjnë ilegalisht përmes kanalit të La Manshit.

Në artikull thuhet se Sunak ka qenë duke punuar me sekretaren e brendshme në një plan sekret për të ashpërsuar rregullat për emigrantët që hyjnë me gomone.

Një zyrtar i lartë i qeverisë tha për ‘The Sun’: “Ne duam të themi diçka së shpejti , para Krishtlindjeve”.

Dyshohet se plani i Braverman përfshin një paketë të plotë masash për të goditur ata që kalojnë kanalin e La Manshit, për të ndryshuar faturat e hoteleve dhe për të kthyer azil-kërkuesit në vendet e tyre.

Mbi 40,000 njerëz kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla deri më tani këtë vit. Tatimpaguesit po paguajnë 6.8 milionë paund çdo ditë për faturat e hoteleve për azilkërkuesit.

Shumë pretendojnë se janë skllevër të kohës moderne, në mënyrë që të mund të qëndrojnë dhe të jetojnë në Britani.

Por ministrat mendojnë se ligji i prezantuar nga Theresa May është shumë i butë.

Kjo vjen në një kohë kur diskutimet për emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe kanë qenë të nxehta.

Braverman, e cila nuk ka kursyer gjuhën e ashpër ndaj atyre që hyjnë në mënyrë ilegale, është zotuar se do të gjejë një mënyrë që të funksionojë skema e Ruandës.

Si kundërpërgjigje, shqiptarët zgjodhën të mblidheshin këtë të shtunë për t’i treguar sekretares britanike që ata janë bashkë, por nuk janë kriminelë.