Tenderat e ‘majm’ të Ervis Myftarit, KLSH zbulon shkelje në Albcontrol: 125 mln lekë përdorim joefektiv dhe dyshime për procedura të parregullta

EMISIONI VETTING/ Megjithatë, tenderat e përfituar nga Ervis Myftari nuk kanë kaluar pa u vënë re dhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili në auditimin e tij të vitit 2024, për institucionin navigues ajror “Albcontrol”, ka arritur në disa konkluzione.

Sipas KLSH-së, përgjatë viteve 2021-2022, shoqëria nuk ka arkëtuar asnjë të dhënë nga të ardhurat nga shërbimi “en route” dhe “terminal charge”.

Të lidhura

None found

Mosarkëtimi ka ardhur si pasojë e një vendimi të Gjykatës së Shkallës së Parë të Brukselit, të cilët kanë ngrirë llogaritë e “Albcontrol”, pranë organizatës “Eurocontrol”. Kjo e fundit është një organizatë ndërqeveritare evropiane që merret me menaxhimin dhe koordinimin e trafikut ajror në hapësirën ajrore të Europës.

Për pasojë, duke dashur të mbijetojë si një institucion, “Albcontrol” sh.a., ka lidhur marrëveshje për hua financiare në vlerën e 8 miliardë lekëve me disa institucione publike si Autoriteti Portual i Durrësit, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Autoriteti i Aviacionit Civil, Korporata e Investimeve Shqiptare dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Sipas grupit të auditimit, vendimi i marrë nga Këshilli Mbikqyrës i “Albcontrol” i tejkalon kompetencat e saj, pasi shoqëria aksionare përcakton tarifat e saj ose të ardhurat në bazë të kostos së institucionit.

“Këto probleme duhet të ndryshohen, jo vetëm me ligj, por edhe me ndryshim mentaliteti. Paraja publike duhet kuptuar që i shërben në radhë të parë qytetarëve. Vetëm atëherë mund të kemi menaxhim të drejtë të saj dhe zhvillim të ndershëm të proceseve të tenderimit”, tha për “Vetting, avokati Redi Ramaj.

Në gjetjet e tjera të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), evidentohet se gjatë vitit 2022, shoqëria “Albcontrol” ka zhvilluar një procedurë prokurimi për të cilën kërkohej edhe autorizimi i “Oracle”, si sistem mirëmbajtjeje IT, për operatorin ekonomik të interesuar. Dokumentacioni i paraqitur linte të kuptohej se ky autorizim ishte i vlefshëm deri në vitin 2024. Megjithatë, verifikimet e kryera nga grupi i auditimit në faqen zyrtare të “Oracle” treguan se operatori ekonomik nuk dispononte një autorizim aktiv, duke ngritur dyshime se shërbimi është ofruar pa licencë të vlefshme.

“Në qoftë se Albcontrol-i ka lidhur një marrëveshje fiktive dhe ka elementë të tjerë, atëherë është përgjegjësi e Albcontrol-it, sepse Albcontrol-i po menaxhon paratë e taksapaguesve shqiptarë. Në qoftë se Albcontrol-i e sheh që këto shërbime nuk jepen dhe nuk bëhet asgjë, atëherë është përgjegjës përpara ligjit”, shpjegon më tej avokate Margarita Kola.

Më tej, në lidhje me përcaktimin e fondit limit dhe ofertat e paraqitura, auditimi konstatoi mungesë të detajeve thelbësore për përllogaritjen e saktë të vlerës së shërbimit, siç janë numri i licencave apo i përdoruesve. Kjo bie në kundërshtim me praktikat e vetë “Oracle”, ku tarifimi bazohet pikërisht mbi këta indikatorë, duke krijuar kështu një mospërputhje me legjislacionin për prokurimin publik.

Një tjetër problematikë e evidentuar nga KLSH lidhet me funksionimin e strukturës përkatëse, e cila gjatë viteve 2021-2023 ka operuar me mungesa të theksuara në staf. Në disa periudha ajo ka funksionuar vetëm me një punonjës, ndërsa në raste të tjera ka qenë totalisht pa personel. Për më tepër, një nga punonjësit e angazhuar nuk ishte i pajisur me certifikatën e audituesit të brendshëm në sektorin publik, një dokument i detyrueshëm që lëshohet nga Ministria e Financave.

“Kush duhet të ishte më i interesuar? Ne si qytetarë, po e po, por edhe vetë Ministria e Financave duhet të jetë e interesuar, sepse Albcontrol është një shoqëri, një kompani, që administron paratë e Ministrisë. Ti je përgjegjës dhe po menaxhon dhe administron paratë e mia. Dhe unë në një moment të caktuar, nëse kam dyshime për mënyrën se si ti administron paratë e mia, unë duhet të jem shumë i interesuar ta çoj çështjen atje ku duhet dhe ta zgjidh këtë gjë përpara organeve të drejtësisë”, përmend avokatja Kola.

Gjatë auditimit të procedurës “Shërbimi i pastrimit të ambienteve të Albcontrol sh.a.”, me një vlerë kontrate prej 79 milionë lekësh dhe afat 36 muaj, u konstatua se institucioni nuk kishte kryer analiza të detajuara të kostos përpara zhvillimit të procedurës, pavarësisht se disponon struktura të brendshme për shërbime mbështetëse. Në specifikimet e tenderit ishte përfshirë edhe zëri “Monitorime dhe shërbime D.D.D”, që lidhet me dezinfektimin, deratizimin dhe masat kundër pandemisë Covid-19. Sipas audituesve, përfshirja e këtij elementi nuk ishte e arsyetuar, pasi periudha e zbatimit të kontratës nuk përkonte më me ekzistencën e pandemisë. Si rrjedhojë, shpenzimi prej rreth 2 milionë lekësh deri më 31.12.2023 u konsiderua joefektiv.

Po ashtu, në auditimin e një tjetër procedure për blerjen e pjesëve të ndërrimit, mirëmbajtjen teknike dhe rinovimin e licencave për disa sisteme operative, u evidentua se zëri për suport teknik ishte përfshirë dy herë në preventiv. Ky dublim ka sjellë një rritje fiktive të kostove dhe përfitim të padrejtë në vlerën e rreth 4 milionë lekëve pa TVSH.

Në aspektin financiar, u vu re një rritje e pashpjegueshme e shpenzimeve për paga nga viti 2021 në vitin 2022, ndonëse numri i largimeve nga puna ishte më i lartë se ai i rekrutimeve. Paralelisht, shpenzimet për shpërblime pësuan një rritje të ndjeshme, nga 3 milionë lekë në vitin 2021 në afro 70 milionë lekë në vitin 2022. Në kontrast, fondet për trajnimet e stafit shënuan rënie, nga 72 milionë lekë në 35 milionë lekë në të njëjtën periudhë.

Auditimi nxori në pah gjithashtu problematika në hartimin e kritereve të veçanta dhe specifikimeve teknike në procedurat e prokurimit, si dhe mangësi në përllogaritjen e fondit limit.

Sipas përllogaritjeve të KLSH-së, shoqëria ka përdorur fondet publike pa ekonomicitet, eficencë dhe efektivitet, në një vlerë totale prej 125 milionë lekësh pa TVSH.

Të gjitha këto të dhëna, të analizuara në mënyrë të integruar, krijojnë një tablo ku shifrat, kontratat dhe gjetjet e auditimit nuk qëndrojnë më si elemente të izoluara, por si pjesë të një sistemi që kërkon një shpjegim më të thelluar. Duke u nisur nga raportet e KLSH-së, të dhënat e prokurimeve dhe bilancet financiare të kompanive të përfshira, si “Consulting & Management Albania” dhe “R & T”, vihet re përsëritja e një cikli problematikash: përdorimi i fondeve publike në shkallë të gjerë, mungesa e konkurrencës në disa procedura dhe parregullsi në menaxhimin e kontratave dhe shpenzimeve.

Në thelb, mbetet për t’u adresuar marrëdhënia mes institucioneve publike dhe operatorëve privatë, ku niveli i lartë i kontraktimeve dhe mënyra e zhvillimit të tyre lënë hapësirë për dyshime dhe kërkojnë verifikime të mëtejshme institucionale, si dhe një transparencë më të plotë mbi mënyrën e qarkullimit të fondeve publike.

“Vetë shteti nuk është i interesuar që kompanitë e veta, të cilat janë me kapital shtetëror, të shkojnë në gjykatë kundër njëra-tjetrës, sepse shteti vetë është i dëmtuar. Përkundrazi, shteti i mbron ose i fsheh shkelje të tilla. Në fund të fundit, ajo që ndodh është kjo: jo vetëm shqiptarët paguajnë dhe këto para vidhen, por nga ana tjetër nuk marrin as shërbimet përkatëse”, shton avokate Kola.


Shtuar 23.04.2026 20:47