Zbulohen amanetet e fundit që Rexhep Qosja la para se të ndërronte jetë! Nipi publikon shkresën: Dua të varrosem afër gruas sime Shpresës, pa rituale fetare

Nipi i akademikut të njohur Rexhep Qosja, Valjet Qosja, ka publikuar amanetin e fundit të gjyshit të tij para se të ndërronte jetë në moshën 89-vjeçare, ku i ka lënë udhëzime për mënyrën se si dëshironte të përcillej për në banesën e fundit.

Sipas letrës së publikuar nga Valjetit, Rexhep Qosja ka kërkuar që varrimi i tij të bëhet pa rituale fetare dhe pa prani zyrtare.

Po ashtu, ai thekson se ceremonia duhet të jetë krejtësisht e thjeshtë, vetëm në praninë e familjarëve, pa fjalime, pa media dhe pa lule.

Një nga dëshirat më të ndjera të tij është që të prehet pranë bashkëshortes së ndjerë, Shpresës.

“Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi. Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jem edhe i varrosur: pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës”, shprehet ai në letrën e shkruar që më 30 prill 2016.

Postimi i Valjet Qoses:

Një letër për fundin.

Po e ndaj me ju si dëshmi e fjalës së tij, duke respektuar amanetin që më është besuar.

Valjeti

____________________________________________________

NIPIT TIM VALJETIT

I CILI U KUJDES PËR JETËN TIME DHE PREJ TË CILIT

KËRKOJ TË KUJDESET EDHE PËR VARROSJEN TIME

Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror, që e bën të mundshëm ai, dua të jem i varrosur pa ritual fetar.

Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar, në pjesën më të madhe të kohës, duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve e pushteteve të tyre, dua të jem i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare.

Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi.

Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jem edhe i varrosur: pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës.

Vdes i qetë.

Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes e ardhmërisë së tyre, nuk u kam mbetur borxh. Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua – këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar.

Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat.

Meqenëse jam rritur, kam jetuar e kam punuar në kushte politike e shoqërore, që edhe pas çlirimit të Kosovës e të krijimit të shtetit të saj, ishin shumë të vrazhda, nuk mund të them se mospajtimet e mia të shprehura ishin gjithnjë të liruara prej disa gjykimeve e vlerësimeve më të ashpra se ç’do të duhej. Megjithatë, varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun.

Këto mendime i shkrova duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë.

Gjyshi yt, Valjet

Rexhep Qosja

(nënshkrimi)

Prishtinë, 30.4.2016


Shtuar 23.04.2026 20:05