Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë të ditur se ka arrestuar shtetasin shqiptar me inicialet E.B., i cili dyshohet si një nga drejtuesit e një grupi të strukturuar kriminal të angazhuar në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Sipas njoftimit të SPAK, procedimi penal është regjistruar në janar të vitit 2024 për veprat penale të trafikut të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, pjesëmarrjes në grup kriminal dhe kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale.
Të lidhura
None found
Hetuesit thonë se grupi organizonte transportimin e drogës nga Shqipëria drejt Malit të Zi, me destinacion Gjermaninë, nga Shqipëria drejt Turqisë, si edhe nga vendet e Amerikës së Jugut drejt shteteve të Bashkimit Evropian. Një pjesë e materialeve provuese është siguruar përmes shqyrtimit të komunikimeve në platformën e enkriptuar Sky ECC, të administruara nga autoritetet franceze.
Hetimet kanë evidentuar tre raste të trafikut ndërkombëtar të drogës: sekuestrimin e 1,722 kilogramëve marijuanë në Mal të Zi në nëntor 2020, 236 kilogramëve marijuanë në Turqi në janar 2021 dhe 475 kilogramëve kokainë në portin holandez të Vlissingen, në një ngarkesë të ardhur nga Ekuadori.
Fillimisht, nga hetimet janë identifikuar 14 persona të dyshuar, ndaj të cilëve janë vendosur masa sigurie për përfshirje në veprimtarinë kriminale.
SPAK bën me dije se hetimet e mëvonshme e identifikuan E.B. si një prej drejtuesve të këtij grupi kriminal, sidomos për episodin e trafikut të drogës drejt Turqisë.
Me vendim të Gjykatës së Posaçme të datës 3 korrik 2026, ndaj tij u vendos masa e sigurisë “arrest në burg”, e cila u ekzekutua më 6 korrik 2026 nga Policia e Shtetit.
