Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar nga detyra prefektin Spiro Maliqi që e kishte emëruar vetëm pak muaj më parë.
Në vend të tij mësohet se është emëruar, pedagogia e Elbasanit Majlinda Peza. Peza ishte zv/dekane e fakultetit të Shkencave Humane.
Letra: Spiro Maliqi
Që nga data 2 Qershor kur u emërova Prefekt i Qarkut Elbasan, e deri më sot, jam munduar që me qytetari, profesionalizëm dhe dinjitet jo vetëm të drejtoj nga ana administrative institucionin por edhe të jem versioni më i mirë i vetvetes në mënyrë të tillë që imazhi i Prefektit të Elbasanit të ishte sa më i denjë dhe i dashur për këdo banor të Qarkut.
Karriget ikin e vijnë, ajo çka ngel është koka lartë dhe ndërgjegja e pastër ndaj kujtdo qytetari që kam pasur mundësi të takoj, ndihmoj apo qoftë edhe thjesht dëgjoj gjatë këtyre muajve.
Dua të falenderoj pafund të gjithë kolegët e Prefekturës Elbasan, për përkushtimin e pandalur, pa të cilin asnjë punë nuk do të kishte qënë e mundur.
Gjithashtu familjen politike socialiste, dhe Kryeministrin Edi Rama për mundësinë e dhenë.
Vizionin, energjinë dhe vullnetin për të bërë punë të mira, do ta ruaj sa të kem frymë në detyrën e ardhshme dhe ku do të kem nderin të shërbej.
Ishte nder dhe privilegj,
Spiro Maliqi /albeu