Sfidon Bashën, voton dhe Agron Shehaj

Kandidati për kreun e PD-së Agron Shehaj, është i fundit nga kandidatët që ka mbërritur në selinë blu për të votuar. Shehaj ka pretenduar për disa parregullsi gjatë procesit, ku vëzhguesit e tij janë përjashtuar në disa qendra votimi.

Gjatë një komenti të shkurtër për gazetarët, Shehaj tha se në zgjedhjet e sotme nuk vendoset vetë fati i kryetarit, por edhe i zgjedhjeve të ardhshme në vend, ku PD duhet të dalë fituese.

“Falenderoj të gjithë mbështetësit, vëzhguesit e mi, dhe votuesit në të gjithë Shqipërinë, sot vendoset fati i zgjedhjeve të ardhshme. Është e rëndësishme se kush do të fitojë nga kandidatët, por është akoma më e rëndësishme procesi”, u shpreh Shehaj.

Më herët gjatë ditës, Shehaj është shprehur se janë përjashtuar vëzhguesit e tij në disa qendra votimi, ndërkohë që sipas Jemin Gjanës, kjo është bërë për shkak se të propozuarit e Shehajt nuk kanë qenë anëtar të PD-së.

Përveç Bashës, tre kandidatët e tjerë në garë iu kanë bërë thirrje demokratëve që të votojnë masivisht, ndërkohë që qendrat e votimit do të qendrojnë të hapura deri në orën 19:00 të pasdites së sotme.

Shtuar 13.06.2021 13:01