Sekuestrohen 2 ton kokainë në Peru, 2 shqiptarë shpallen në kërkim

Dy shtetas shqiptar kanë rënë në prangat e policisë në Peru.

Ata janë arrestuar pasi u është sekuestruar rreth 2.2 ton kokainë, e cila do të dërgohej në Holandë.

Lënda narkotike, sipas raportimeve, ishte e fshehur në kanaçe shpargulli.

Sakaq, autoritetet vendase kanë arrestuar shtatë peruanë, ndërsa dy shqiptarë janë shpallur në kërkim.

Kreu i antidrogës peruane, Cesar Echevarria deklaroi se grupi drejtohej nga dy shqiptarët.

“Është një organizatë kriminale me lidhje në Kolumbi, Ekuador dhe Shqipëri”, theksoi Echevarria.

Gjithashtu tha se janë në koordinim me “Policinë Ndërkombëtare seksionin për lokalizimin e dy shtetasve shqiptarë që kanë mbërritur në vendin tonë si lehtësues logjistikë dhe koordinim me mafien”.

Sasia e madhe e kokainës ishte kamufluar në kanaçe shpargu që do të transportohej me një kamion.

“Kjo organizatë planifikoi të paguante drogën me monedha virtuale, bitcoin”, tha Echevarria.

Këtë vit, policia peruane ka sekuestruar rreth 35 tonë drogë.

Peruja është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të kokainës, me rreth 400 tonë në vit, sipas shifrave zyrtare.

Përveç kësaj, ajo është, së bashku me Bolivinë, një nga prodhuesit më të mëdhenj të gjetheve të kokainës, lëndës së parë për kokainën, pas Kolumbisë.