Sektori i ndërtimit në rrezik, çfarë pritet

Nga Eduart Gjokutaj Altax*

Rezultati i ekonomisë shqiptare pas pak vitesh mund të jetë që investimi i aseteve fikse, i cili financon ndërtimin e zonave të qendrave të qyteteve, rrugëve, hekurudhave, porteve dhe një mijë pjesëve të tjera të infrastrukturës do të bjerë ndjeshëm, duke i grabitur ekonomisë një nga shtytësit kryesorë të saj.

Kjo ka ndodhur në gjithë vendet që kanë futur gjithë burimet e tyre financiare në ndërtim dhe pasuri të paluajtshme.

Pra, pyetja tani për qeverinë, pasi ajo po ndan fonde modeste për të lehtësuar dhimbjen prej inflacionit dhe mungesës së të ardhurave për një jetesë dinjitoze është nëse motori i rritjes që ka kontribuar kaq shumë në prosperitetin ekonomik dhe tani është i mbushur me borxhe, çfarë ka menduar për ndonjë zhvillim të ri që mund ta zëvendësojë atë?

Realisht, asnjë sektor i ekonomisë nuk ka përfituar fonde më shumë se ndërtimi. Por, tashmë fondet janë jo më fitimprurëse edhe për të ardhmen, pasi piku i ofertës ka kaluar.

Për një zhvillim të ndryshëm ekziston një përgjigje e qartë.

Shqipëria duhet të riorientojë rrënjësisht ekonominë e saj larg mbështetjes së tepërt aktuale në investime dhe ti drejtohet shpenzimeve më të mëdha te konsumatorët.

Pse duhet të bëhet një qasje e tillë?

Konsumi privat përbënte 79.11 përqind të PBB-së nominale në fund të vitit të kaluar, një raport shumë më i lartë se në BE (50 përqind të PBB).

Kjo do të thotë se, nëse qeveria e Tiranës harton një rrugëdalje nga gjendja e keqe e borxhit të qeverisjes qendrore në vitet e ardhshme, ajo nuk mund të përballojë ta zhvendosë barrën tek familjet. Ajo duhet të krijojë një ekonomi në të cilën pagat rriten fuqishëm dhe tregjet e gjalla dhe të rregulluara financiare ofrojnë një kthim të shëndetshëm afatgjatë të kursimeve.

Zhvendosja e kërkuar për të përqafuar konsumatorin dhe sektorin privat do të kërkojë gjithashtu një ndryshim në mendësi.

Çfarë do të thotë kjo?

Qeveritë autoritare preferojnë masa ekonomike që mund t’i kontrollojnë.

Mobilizimi i ofertës përmes planeve stërmëdha të investimeve i mban partitë në pushtet në karrigen e drejtimit.
Kujdesi për shijet më demokratike të konsumatorëve nuk e bën këtë.

Mirëpo, çdo qeveri që është identifikuar si mbartëse e dozave autoritare për të ardhmen duket se duhet të përgatitet për një transformim të gjatë dhe të vështirë ekonomik që nuk mund ta shmangë më.

Shqiptarët duhet të përgatiten për fundin e një epoke disa dekadash të rritjes së “suksesshme” ekonomike.

Nëse do ta përkthenim këtë rritje ekonomike në favor të qytetarëve do të duhet të prezantoheshin dy drejtime të rritjes:

Mirëqenia/vlera pasurore[1] (para dhe pasuri e paluajtshme) për individin[2] në 20 vitet e fundit në Shqipëri,
Mirëqenia për individin në vendet përreth Shqipërisë[3].a. Mirëqenia për qytetarin shqiptar është rritur mesatarisht nga 6.614 Us.d në 2000 në 30.524 Us.d në 2020, apo 4.6 herë më e lartë. Pasuria në para përfaqëson 8 përqind të totalit të vlerës pasurore dhe pjesa tjetër (92%) janë pasuri e paluajtshme.
Por përtej rritjes, përsëri mbetemi në një klasifikim të një mirëqenie të varfër krahasuar me gjithë vendet e Evropës. Vlera pasurore e gjithë shqiptarëve në fund të 2013 ishte 49 miliard Us.d, ndërsa në fund të 2020 ishte 67 miliard Us.d.
Por, nëse shikojmë rishpërndarjen e mirëqenies, vetëm 0.1 përqind e qytetarëve shqiptarë kanë një nivel mirëqenie mbi 1 milion Us.d.
b. Mirëqenia për qytetarin malazez është rritur mesatarisht nga 6.411 Us.d në 2000 në 60.310 Us.d në 2020, apo 9.4 herë.
Pasuria në para përfaqëson 27 përqind të totalit të vlerës pasurore dhe pjesa tjetër (73%) janë pasuri e paluajtshme.
Edhe malazezët mbeten në një klasifikim të një mirëqenie të varfër krahasuar me gjithë vendet e Evropës. Vlera pasurore e tyre në fund të 2013 ishte 20 miliard Us.d, ndërsa në fund të 2020 është 29 miliard Us.d.
Nëse shikojmë rishpërndarjen e mirëqenies, vetëm 0.4 përqind e qytetarëve kanë një nivel mirëqenie mbi 1 milion Us.d.

Mirëqenia për qytetarin maqedonas është rritur mesatarisht nga 15.790 Us.d në 2000 në 51.788 Us.d në 2020, apo 3.2 herë.
Edhe maqedonasit e veriut mbeten në një klasifikim të një mirëqenie të varfër krahasuar me gjithë vendet e Evropës.

Mirëqenia për qytetarin kosovar është rritur mesatarisht nga 9.616 Us.d në 2000 në 46.087 Us.d në 2020, apo 4.8 herë. Edhe kosovarët mbeten në një klasifikim të një mirëqenie të varfër krahasuar me gjithë vendet e Evropës.

Në një përmbledhje të të dhënave pasurore, kuptojmë që mirëqenia është në rritje si për shqiptarët, por edhe për kosovarët, malazeztë apo maqedonasit. Por shqiptarët kanë një mirëqenie më të ulët në vlerë absolute se gjithë qytetarët e këtyre vendeve, pavarësisht se si ka qenë kjo mirëqenie në fillim të këtij shekulli.

Por, shpërndarja e mirëqenies është më e mirë në vendet përreth se sa në Shqipëri, një fakt që tregon edhe për tendencën në rritje të përqëndrimit të pasurisë tek rreth 0.1 përqind e qytetarëve shqiptarë nga 2.2 milionë qytetarë gjithsej mbi 18 vjeç.

Pra, në Shqipëri kjo situatë kuptohet me një nivel mirëqenie që edhe pse nuk është më e larta në rajon, ka edhe problemin e shpërndarjes jo të barabartë mes qytetarëve.

Ky fakt nuk është kuptuar nga qeveria në një balancim të rishpërndarjes nëpërmjet rritjes së fondeve për politika sociale. Në realitet rritja e fondeve buxhetore për investime kapitale, ka shërbyer si një fond më shumë për të pasurit. Kjo ka ndikuar më tej për thellimin e pabarazisë në rishpërndarjen e vlerave pasurore.

Pasi buxheti është çorientuar në sensin social të tij, nevojitet që të mbahet në konsideratë mosvijimi më tej me kontraktime të reja për investime kapitale.

Nisur nga nevoja e riorientimit të ekonomisë ne gjykojmë se fillimi i ndryshimit ndodh me modifikimin e politikave dhe administrimit të shkaqeve të përkeqësimit të pabarazisë.

Në realitetin e përditshëm ato janë komplekse dhe përfshijnë dështimin për t’u përshtatur me tregun konkurues dhe ndryshimet teknologjike, ndryshimin e politikës tatimore pa u thelluar në pasojat, reduktimin e fuqisë negociuese midis punëtorëve dhe punëdhënësve, si dhe diskriminimin financiar të shtresave në nevojë.

Efektet e pabarazisë janë përkeqësuar nga krizat si pandemia dhe personalizimi politik i jetës së vendit duke thelluar ndarjen shoqërore.

Pabarazia gjithashtu ka arritur të dobësojë demokracinë dhe të shkaktojë lëvizje autoritare, që çfarëdo emërtimi të mbajë ka krijuar probleme me rishpërndarjen e të ardhurave.

Shqipëria ka nevojë për “burra shteti” të cilët duhet të zotohen dhe të kenë plane të zbatueshme për të zvogëluar pabarazinë ekonomike me shpenzime të reja sociale të financuara nga taksat më të larta për të pasurit dhe bizneset e mëdha. Ata duhet të kenë kurajën të përballen me kundërshtimin e atyre që thonë se këto politika sociale shkojnë shumë larg dhe nuk mund të bëhen.

[1] Mirëqenia/vlera pasurore mat vlerën e të gjitha aseteve me vlerë të zotëruara nga një person. Ajo përcaktohet duke marrë vlerën totale të tregut të të gjitha aktiveve fizike dhe të paprekshme në pronësi, më pas duke zbritur të gjitha borxhet. Në thelb, mirëqenia/vlera pasurore është akumulimi i burimeve./abcnews.al

[2] përjashtuar fëmijët e vlerësuar sipas situatës financiare dhe zotërimit të pasurive të paluajtshme minus borxhet

[3] https://www.credit-suisse.com/media/assets/corporate/docs/about-us/research/publications/global-wealth-databook-2021.pdf