Kryeministri Edi Rama ka reaguar në platformën X lidhur me vendimin e Gjykatës Administrative për rritjen e pagave, duke shprehur kundërshtimin e tij ndaj kërkesës për ekzekutimin e vendimit pa kaluar më parë në Kuvend.
Sipas Ramës, gjykata ka vepruar me një shpejtësi të pazakontë për çështjen e pagave të veta, ndërkohë që mijëra dosje të tjera, që lidhen me shqetësimet e qytetarëve, mbeten prej vitesh në pritje.
Të lidhura
None found
“Sikur Gjykata Administrative të kishte standard për çdo qytetar apo institucion në hall, shpejtësinë e skëterrës me të cilën paska vepruar sot për të hapur dyert e thesarit për rritjen e rrogave të veta pa miratimin e parlamentit, unë besoj se çdo shqiptar i punësuar do ishte gati t’ia falte një gjysmë rroge vrapuesve fluturakë të Gjykatës Administrative…”, shkroi ai.
Kryeministri e ka cilësuar “tejet turbullues” vendimin, duke vënë në diskutim edhe marrjen e një mase që, sipas tij, synon të përshpejtojë zbatimin e një akti që mund të jetë në kundërshtim me ligjin dhe interesin publik.
“Por të marrësh sa hap e mbyll sytë masën e parë të sigurisë në historinë e botës, jo për të ndaluar po për të nxitur për interesin vetjak ekzekutimin e një akti që me gjasë cenon ligjin dhe interesin publik, ndërkohë që mijëra e mijëra dosje hallesh presin me vite në sirtarët e gjykatës në fjalë, kjo është diçka tejet turbulluese!”, vijoi Rama.
Rama ka deklaruar se vendimi për përdorimin e fondeve të Thesarit të Shtetit duhet të miratohet nga pushteti legjislativ.
“Dyert e thesarit të shtetit i hap vetëm pushteti i pavarur legjislativ dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë detyrën e tij për këtë temë, në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ditën e enjte 17 shtator.”, pohoi më tej.
Reagimi i kreut të qeverisë vjen pas përplasjes institucionale të krijuar nga vendimi për pagat e magjistratëve, ndërsa pritet që çështja të vijojë të diskutohet në Kuvend.
