Kryeministri Edi Rama është shprehur se Ukraina nuk mund të mendojë vërtet se mund të hyjë më shpejt në Bashkimin Europian se Shqipëria.
Komentet Rama i bëri gjatë konferencës së përbashkët për shtyp që zhvilloi me kancelarin Federal të Gjermanisë, Olaf Scholz.
I pyetur nëse do t’i vinte keq Shqipërisë nëse Ukraina anëtarësohej më shpejt në BE për shkak të luftës, kreu i qeverisë tha se më shumë i shqetësuar është nëse Ukraina beson vërtet që ky është një skenar që ka gjasa të ndodhë.
“Nuk duhet shumë shkencë për të kuptuar si funksionon BE. Por, edhe nëse ndodh që Ukraina të anëtarësohet në BE përpara Shqipërisë, shtoi Rama, nuk do të bëheshim xhelozë”, theksoi Rama duke mos kursyer kritikat për Unionin Europian.
“Më ve në pozitë sepse duhet të them të vërtetën. Unë më shumë jam shqetësuar nëse Ukraina vërtet mendon se mund të hyjë më shpejt. Jo se do hyjë më shpejt. Do u thosha atyre që ushqejnë këtë iluzion, të mos e përdorin Ukrainën për të shprehur vizionin e tyre revolucionar në instanca të ndryshme. Nuk duhet shumë shkencë për ta kuptuar si funksionon BE. Nuk mund të ndodhë sipas meje. Nëse do të ndodhte, nuk do të bëheshim xhelozë”, u shpreh Rama./albeu.com/