Të shtëna me armë zjarri pranë një plazhi të njohur në Kaliforni të SHBA-së u kanë marrë jetën dy personave dhe kanë lënë të plagosur dy të tjerë. Ngjarja u regjistrua në orët e hershme të mëngjesit në Moss Landing, në Qarkun Monterey, afër Plazhit Shtetëror Moss Landing.
Zyra e Sherifit të Qarkut Monterey bëri të ditur se efektivët që shkuan në vendngjarje gjetën dy persona pa shenja jete, të vdekur nga plagët e shkaktuara prej armëve të zjarrit. Nga dy personat e plagosur, njëri ka lëndime që nuk i rrezikojnë jetën.
Të lidhura
None found
Njoftimet e para të autoriteteve flisnin për disa të vdekur e të plagosur, por nuk përcaktonin numrin e tyre. Bilanci prej dy viktimash dhe dy të plagosurish u konfirmua më pas.
Gjatë mbledhjes së provave nga policia në vendin e ngjarjes, autoritetet bllokuan Jetty Road dhe mbyllën Plazhin Shtetëror Moss Landing. Në operacion morën pjesë gjithashtu efektivë të Policisë së Parqeve Shtetërore dhe të Patrullës së Autostradave të Kalifornisë.
Ende nuk është përcaktuar motivi i të shtënave dhe nuk ka pasur asnjë arrestim deri tani. Identitetet e viktimave nuk janë publikuar nga policia, ndërsa mbetet e paqartë nëse personat e përfshirë kishin njohje me njëri-tjetrin dhe çfarë kishte ndodhur përpara të shtënave.
Mediat lokale raportojnë se në vëmendjen e hetuesve është edhe një ambient në afërsi, i njohur si vend ku organizohen tubime dhe festa. Megjithatë, nuk është vërtetuar deri më tani nëse ky ambient ka lidhje me ngjarjen.
Zyra e Sherifit, megjithëse ngjarja ishte e rëndë, i bëri të ditur komunitetit se për banorët e zonës nuk ekzistonte ndonjë kërcënim aktiv.
I vendosur në Gjirin e Monterey-t, Moss Landing është një komunitet i vogël bregdetar që njihet për peizazhin natyror dhe vëzhgimin e balenave. Hetuesit po vijojnë punën për të sqaruar rrethanat e të shtënave dhe motivin e tyre.








