Në Mançester të Anglisë ka nisur procesi ndaj nëntë burrave të akuzuar për përdhunimin dhe abuzimin seksual të një gruaje. Sipas CNN, bashkëshorti i saj dyshohet se e drogonte prej më shumë se dy dekadash, duke e lënë të paaftë për të reaguar ose për të kundërshtuar.
Në hapjen e gjyqit të hënën, prokuroria tha se të pandehurit ishin lidhur me bashkëshortin përmes grupeve në internet ose një faqeje për çifte që shkëmbenin partnerët. Kontaktet kishin ardhur pasi ai kishte publikuar fotografi dhe video që tregonin abuzimin seksual ndaj së shoqes.
Të lidhura
None found
Burri, rreth të 60-ave dhe banues në Stockport, në veri të Anglisë, fillimisht shfrytëzonte gjumin e thellë të bashkëshortes pas konsumimit të sasive të mëdha të alkoolit, sipas prokurorëve. Më pas, ai kishte kaluar në përdorimin e një përzierjeje substancash narkotike për ta mbajtur pa ndjenja gjatë abuzimeve.
Prokuroria i tha gjykatës se, duke filluar nga viti 2023, ai sillte burra të tjerë në shtëpinë e çiftit. Ndërsa gruaja ndodhej e pavetëdijshme në shtrat, bashkëshorti regjistronte veten dhe personat e tjerë teksa e përdhunonin dhe e abuzonin seksualisht.
Hetimi nisi pas zbulimit të bërë nga gazetarë investigativë që kishin hyrë fshehurazi në një prej grupeve online. Atje ata gjetën një përdorues që thoshte se e kishte droguar të shoqen dhe u bënte thirrje të panjohurve që ta abuzonin seksualisht ndërsa ishte pa ndjenja.
Pasi përcaktoi identitetin e tij, policia siguroi një urdhër kontrolli për banesën. Gjatë kontrollit u sekuestruan disa sende, përfshirë një telefon Samsung Galaxy, ku, sipas prokurorisë, u zbuluan mbi një milion fotografi dhe video që dokumentonin abuzimin.
Bashkëshorti e pranoi fajësinë në shtator për disa vepra penale, mes të cilave përdhunimi, sulmi seksual dhe dhënia e substancave për ta droguar gruan ose për t’i hequr mundësinë e reagimit. Identiteti i tij nuk bëhet publik për të ruajtur privatësinë e viktimës. Ai mbahet në paraburgim dhe masa e dënimit do të caktohet më vonë.
Akuzat kundërshtohen nga të nëntë burrat që janë aktualisht në gjyq. Ndërkaq, katër të bashkëpandehur të tjerë e kanë pranuar fajësinë për vepra penale seksuale.
Gjatë procesit u njoftua se marrëdhënia e çiftit kishte zgjatur 44 vjet dhe se ata kishin dy fëmijë së bashku. Gruaja thotë se nuk i kishte takuar asnjëherë të pandehurit dhe se nuk dinte për kontaktet seksuale me ta.
Për abuzimet ajo u vu në dijeni vetëm kur policia shkoi në shtëpinë e tyre në tetor të vitit 2025. Sipas prokurorëve, kjo e vërtetë shënoi fundin e jetës siç e kishte njohur ajo deri atëherë.








