Volodymyr Zelensky paralajmëroi se Rusia mund të ndërmarrë një tjetër sulm masiv ndaj Ukrainës, duke shfrytëzuar ditën e zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA për të goditur infrastrukturën energjetike të vendit.
Në një video të publikuar në X, presidenti ukrainas tha se Kievi ka marrë të dhëna për përgatitjen e sulmeve të reja ndaj objekteve energjetike dhe rrjeteve të furnizimit. Ai vuri në dukje se vëmendja e botës mund të përqendrohet te procesi zgjedhor në SHBA dhe zhvillimet në Ukrainë të lihen në plan të dytë.
Të lidhura
None found
“Vlerësimi është se nesër opinioni publik botëror do të përqendrohet te zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, si rezultat i të cilave ajo që po ndodh këtu në Ukrainë, si dhe vështirësitë që hasim me mbrojtjen ajrore dhe raketat Patriot, do të kalojnë në plan të dytë”, deklaroi Zelensky.
Ai kërkoi që Uashingtoni të shtojë trysninë ndaj Moskës, duke kufizuar në veçanti të ardhurat që Rusia përfiton nga shitja e naftës dhe gazit.
“Nuk mund të luajmë lojëra me të ardhurat e Rusisë nga nafta ose gazi. Duhet të ushtrojmë një presion të tillë mbi Rusinë, saqë ajo të mos ketë zgjidhje tjetër veçse t’i japë fund kësaj lufte. Amerika mund ta arrijë këtë”, u shpreh presidenti ukrainas.
Zelensky theksoi se komuniteti ndërkombëtar duhet t’i përcjellë Moskës një mesazh të prerë: sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës nuk do t’i sjellin asnjë përfitim.
“Na duhen mesazhe nga bashkësia ndërkombëtare për Rusinë që do ta bëjnë të qartë se terrorizmi nuk funksionon, nuk sjell asnjë përfitim”, tha ai.
Presidenti ngriti gjithashtu shqetësimin për vështirësitë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe mungesën e sistemeve raketore Patriot, të domosdoshme për t’iu kundërvënë sulmeve ruse.








