Ministria e Ekonomisë dhe Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë kanë lidhur një marrëveshje financiare prej 1 milion eurosh, që synon të zgjerojë investimet dhe programet për kursimin e energjisë në Kosovë.
Dokumentin e nënshkruan ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, së bashku me drejtoreshën menaxhuese të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Njomza Hoxha.
Të lidhura
None found
Ministria njoftoi se financimi do të mbështesë punën e Fondit dhe do të ndihmojë në përmbushjen e objektivave të tij për efiçiencën e energjisë.
Pas kësaj ndarjeje, kontributi financiar i Qeverisë për Fondin që prej vitit 2019 arrin në 10 milionë euro gjithsej.
“Që nga viti 2019, Qeveria ka mbështetur vazhdimisht Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, duke ndarë gjithsej 10 milionë euro për të përkrahur veprimtarinë e tij dhe për të zgjeruar masat e efiçiencës së energjisë në të gjithë vendin”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Investimet synojnë të përmirësojnë kushtet e banimit dhe të ulin kostot e energjisë përmes renovimit të shtëpive individuale, ndërtesave shumëbanesore dhe objekteve të institucioneve publike.
Sipas ministrisë, këto masa ndikojnë drejtpërdrejt në ekonomitë familjare: banesat bëhen më të ngrohta në dimër e më të freskëta në verë, ndërsa familjet mund të kursejnë në faturat e energjisë për një periudhë afatgjatë.
Institucioni thekson se përfitimet shtrihen edhe përtej qytetarëve, pasi investimet ndihmojnë në uljen e ngarkesës së sistemit elektroenergjetik dhe në rritjen e sigurisë energjetike të vendit.
Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se do të vijojë të mbështesë programet që nxisin përdorim më të efektshëm të energjisë.
“Ministria e Ekonomisë do të vazhdojë përkrahjen për politikat dhe programet që promovojnë përdorimin efiçientë të energjisë, duke vënë mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin e qëndrueshëm në qendër të investimeve publike”, thuhet në njoftim.







