Jesus Owono, portieri i Andorrës, po përjeton një tronditje të thellë pas përplasjes me sulmuesin e Tenerifes, Jesus De Miguel, gjatë takimit të së hënës. Ai synonte t’i shprehte personalisht ndjesën familjes së futbollistit, por nuk mundi ta bënte përpara se 30-vjeçari të humbiste jetën mëngjesin e së martës.
Incidenti ndodhi në kohën shtesë të përballjes Tenerife-Andorra, kur rezultati ishte 2-2. Në përpjekje për të ndërhyrë ndaj një topi të gjatë, Owono u largua me vonesë nga zona e portës dhe, teksa tentonte ta largonte topin, e goditi De Miguelin me gju në kokë. Sulmuesi ra menjëherë në tokë.
Të lidhura
None found
Pas përplasjes, arbitri e përjashtoi portierin e Andorrës me karton të kuq të drejtpërdrejtë. De Miguel pësoi arrest kardiak dhe personeli mjekësor reagoi pa vonesë, duke arritur ta rikthente në jetë në fushë. Më pas, futbollisti u dërgua me ambulancë në spital.
Megjithë ndërhyrjet e mjekëve, gjendja e sulmuesit vijoi të rëndohej. Tenerife konfirmoi të martën në mëngjes se Jesus De Miguel kishte ndërruar jetë në orën 08:00, në moshën 30-vjeçare. Pak orë përpara njoftimit për vdekjen, klubi kishte raportuar përkeqësimin e gjendjes së tij neurologjike.
Në reagimin e tij, klubi shprehu dhimbjen e thellë, ndjesinë e një nyje në fyt dhe pamundësinë për ta besuar ende atë që kishte ndodhur. Njëkohësisht, Tenerife bëri thirrje që familjes t’i respektohej privatësia në këto çaste të vështira.
Radioja spanjolle COPE, duke iu referuar gazetarit Ivan Alvarez në emisionin El Partidazo, raportoi se Owono është rëndë i tronditur nga ngjarja. Përmes delegatit dhe mjekut të klubit të Andorrës, portieri kishte marrë vazhdimisht informacion mbi gjendjen e De Miguelit.
Përpara çdo reagimi publik, ai donte t’i kërkonte falje privatisht familjes. Plani i tij ishte që, në një moment të përshtatshëm, të lidhej drejtpërdrejt me familjarët ose me një person nga rrethi i afërt i sulmuesit.
Sipas të njëjtit raportim, veçanërisht të rënda për portierin ishin brohoritjet “vrasës” që dëgjoheshin nga tribunat e stadiumit ‘Heliodoro Rodriguez Lopez’. Pas incidentit, Owono e kaloi në privat edhe llogarinë e tij në Instagram.
COPE përshkroi gjithashtu një gjendje të rënduar dhe tronditje të madhe brenda klubit të Andorrës. Për disa prej lojtarëve, ajo që ndodhi ishte përvoja më e vështirë që kishin përjetuar ndonjëherë në fushën e futbollit.
Nga ana e tij, klubi ka nënvizuar se ndërhyrja e Owono nuk kishte qëllim të keq dhe se portieri nuk kishte synuar në asnjë çast të dëmtonte kundërshtarin.
Jesus Owono, 25-vjeçar, luan në nivel ndërkombëtar për Guinenë Ekuatoriale dhe në të kaluarën ka qenë pjesë e Alavesit.





