Autoritetet italiane kanë hapur hetime pas një serie sulmesh kibernetike ndaj sistemeve të ftohjes së supermarketeve në disa vende të Evropës. Ndërhyrjet dyshohet se kanë bërë që temperatura e ngrirësve të ngjitet deri në 50 gradë Celsius, ndërsa mes pistave janë edhe sulmet e mundshme nga grupe hakerash pro-ruse.
Incidentet janë raportuar në Francë, Belgjikë, Suedi, Luksemburg, Estoni, Holandë, Irlandë dhe Itali. Rasti i parë u regjistrua në Francë më 12 tetor, për t’u pasuar nga ngjarje të ngjashme në shtete të tjera evropiane.
Të lidhura
None found
Hakerat kanë ndërhyrë në kontrollet elektronike të temperaturës, duke bërë që ngrirësit të arrijnë deri në 50 gradë Celsius brenda pak orësh. Kjo ka rrezikuar kushtet e ruajtjes së ushqimeve, por qeveria italiane njofton se deri tani nuk është identifikuar ndonjë kërcënim për shëndetin e konsumatorëve.
Njësitë e policisë italiane që merren me krimet kibernetike po hetojnë nëse bëhet fjalë për një operacion të bashkërenduar, me synim shkaktimin e humbjeve ekonomike dhe pengimin e veprimtarisë së sektorëve të rëndësishëm në disa vende të Evropës. Hetuesit vlerësojnë se ngjashmëritë mes incidenteve dhe mënyra e kryerjes së tyre mund të tregojnë për sulme të organizuara e të sinkronizuara.
Deri më tani nuk ka pasur kërkesa për para apo përpjekje për zhvatje dhe asnjë grup nuk ka pretenduar se qëndron pas sulmeve. Për këtë arsye, autoritetet po shqyrtojnë edhe mundësinë që ngjarjet të jenë pjesë e luftës hibride, ku sulmet kibernetike përdoren për të ndërprerë shërbime, shkaktuar dëme ekonomike dhe nxitur destabilizim.
Mes hipotezave të hetimit është përfshirja e mundshme e grupeve proruse të hakerave, por përgjegjësia për sulmet nuk është përcaktuar ende.
Pas raportimeve për incidentet, Agjencia Kombëtare për Sigurinë Kibernetike në Itali u ka bërë thirrje operatorëve të supermarketeve, kompanive të transportit dhe magazinimit të ushqimeve, si dhe bizneseve që menaxhojnë sisteme industriale ftohjeje, të rrisin mbrojtjen kibernetike. Ajo këshillon përdorimin e rrjeteve private virtuale për qasjen në distancë dhe moslënien e sistemeve të kontrollit të pajisjeve industriale të ekspozuara drejtpërdrejt në internet.
Autoritetet shprehin shqetësimin se sulme të këtij lloji mund të përhapen edhe në sektorë të tjerë strategjikë.
Në deklaratën e Kryeministrisë italiane, Palazzo Chigi, thuhet se deri tani nuk janë gjetur raste që, për shkak të shkrirjes së produkteve të ngrira, të përbëjnë rrezik për shëndetin publik. Agjencia Kombëtare për Sigurinë Kibernetike u përcjell njësive të specializuara të Karabinierëve për mbrojtjen e shëndetit çdo anomali të zbuluar, në mënyrë që të ndërhyhet pa vonesë.
Njoftimi pasoi një takim në selinë e qeverisë italiane, ku ishin të pranishëm nënsekretari i Kryeministrisë, Alfredo Mantovano, ministri i Bujqësisë, Francesco Lollobrigida, drejtuesi i Agjencisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike dhe drejtuesit e shërbimeve të inteligjencës.
Italia po e ndjek situatën vazhdimisht dhe po bashkëpunon me përfaqësues të sektorëve të prekur, me synimin që të parandalohen incidente të tjera.







