Qëlloi të motrën me çifte, arrestohet 63 vjeçari në Vlorë

Policia e Vlorës ka arrestuar 63 vjeçari Seit Danaj i cili vetëm dy ditë më parë plagosi me armë zjarri motrën e tij.

Seit Danaj u raportua se qëlloi me çifte motrën e tij Bukuroshe Hoxha rreth 66 vjeçe në Vlorë, duke e qëlluar në këmbë dhe më pas u arratis në pyll, me armën e krimit me vete.

“Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për ngjarjen e ndodhur në datën 02.07.2021, në fshatin Bishan, Vlorë, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u bë ndalimi për veprat penale “Vrasja për shkak të rrethanave familjare”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, i shtetasit S. D., 63 vjeç, banues në fshatin Bishan.

Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi më datë 02.07.2021, gjatë një konflikti për motive të dobëta dyshohet se nën efektin e alkoolit ka plagosur me armë gjahu (çifte), në pjesën e këmbëve, motrën e tij, shtetasen B. H., 66 vjeçe, e cila ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën”, njofton policia.
Kur ka plagosur motrën, 63 vjeçari ka qenë nën efektin e alkoolit. Sipas policisë ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes tyre për motive të dobëta.
66 vjeçarja pasi u plagos u dërgua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.


Shtuar 4.07.2021 09:56