Përçarja e koalicionit opozitar shqiptar! Alternativa derën hapur për Aleancën për Shqiptarët (VIDEO)

Në deklaratën e parë pasi u nënshkrua marrëveshja e koalicionit mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, kryetari i ASH-së Ziadin Sela pat deklaruar:

“Ka forca që orë e çast punojnë për të na ndarë sa më tepër dhe për të na përçarë”, Ziadin Sela, kryetar i ASH.

E kjo ndarje erdhi pas mbi një viti e gjysmë. Tashmë Alternativa është pjesë e Qeverisë Zaev. Në emisionin “Click Plus”, deputeti i Alternatives Skënder Rexhepi, nuk e mohoi mbizotërimin e Aleancës mbi Alternativën.

“Jemi të vetëdijshëm se me një qasje supremacioni, se jo inferioriteti, sepse asnjëherë s’kemi pasur nevojë të paraqitemi me inferioritet ndaj askujt”, theksoi Skender Rexhepi –Zejdi, deputet nga Alternativa.

Mashtrimi me nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë është pika që sipas Zejdit solli ndarjen.

“Te unë personalisht ishte momenti i mashtrimit gjatë nënshkrimit!”, tha Skedner Rexhepi-Zejdi.

Shpjegoi edhe se për çfarë afati kohor ka qenë e lidhur marrëveshja e koalicionit.

“Marrëveshja që kemi ne është deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare kështu figuron aty”, tha Skender Rexhepi –Zejdi, deputet nga Alternativa.

Por sa ka gjasa që në të ardhmen përsëri të shohim bashkëpunim mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës. Zejdi thotë se partia e tij çdo herë do të jetë e hapur për bashkëpunim me Aleancën për Shqiptarët.

“Besoj që dyert e bashkëpunimit gjithmonë do të mbeten të hapura kuptohet duke parë interesin e përbashkët gjatë atyre bisedimeve. Nuk mbyllen dyert e bashkëpunimit me Aleancën”, pohoi Skender Rexhepi –Zejdi, deputet nga Alternativa.

Por ditë më parë, duke folur për bashkëpunimet e mundshme në të ardhshme, nënkryetari i ASh-së, Elmi Aziri, tha se me hyrjen në Qeveri, Alternativa ka vendosur disa barriera shuma të forta.

“Kanë vendosur barriera shumë të forta në mes neve dhe atyre, aq më tepër kur ata ishin me neve dhe faktikisht u larguan dhe zgjodhën një anë tjetër. Në momentin që po flasim ata janë shumë afër Lidhjes Social Demokrate dhe Bashkimit Demokratik për Integrim”, deklaroi Elmi Aziri, nënkryetar i ASH.

Kryetari i Altrenativës, Afrim Gashi, pas nënshkrimit të marrëveshjes me Zoran Zaevin, tha se ai dhe partia e tij “nuk kanë pushkë” për Aleancën.