“Ndaloji ata ose do i ndalojmë ne”, tensionet në veri të Kosovës, Vuçiç zbulon telefonatën me Lajçak

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka zbuluar një pjesë të bisedës me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Vuçiç ka mbajtur një takim urgjent në kazermat ushtarake të Serbisë në Rashkë, për të rënë dakord, siç u tha, se çfarë të bënin pas aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës në veri.

“Ndaloni ata. Nëse nuk jeni në gjendje ta bëni, ne do t’i ndalim”, deklaroi Vuçiq se i ka thënë Lajçakut.

“Ata më thanë ‘ne jemi duke punuar për këtë’ dhe pastaj i bënë ata të tërhiqeshin. Megjithatë, duhet të keni parasysh, sipas inteligjencës sonë, ata kishin mbështetjen e të paktën një shteti për atë që po e bënin sot, dhe ky nuk është një vend i BE-së”, tha kreu i shtetit serb.

Vuçiq theksoi se në reagimin e tij, Bashkimi Evropian nuk i përmendi të dy palët, por e akuzoi Kosovën për tensionimin e situatës në veri të vendit.

“E vetmja gjë është se BE-ja nuk i përmendi më dy palët”, tha Vuçiç.

Ai tha se Kosova u frymëzua nga fuqi të mëdha për aksionin e sotëm.

“Është dëshira e një pjese të fuqive të mëdha perëndimore për të destabilizuar dhe shembur gjithçka, në mënyrë që ata t’i menaxhojnë më mirë proceset, sepse kjo është gjithçka që mund të bëjnë”, tha Vuçiq në këtë takim./albeu.com