Ministri i jashtëm çek: Kosova mund të llogarisë në përkrahjen tonë

Ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky, në konferencë për media pas takimit me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, ka thënë që mesazhi i tij për qytetarët e Kosovës është se Kosova mund të llogaritë në përkrahjen e Çekisë. Dukagjini shkruan se ministri Lipavsky ka thënë se presidenca çeke e BE-së është duke punuar në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën kështu duke e shtyrë para këtë proces. Ai ka thënë se presidenca çeke e përkrah Kosovën në këtë drejtim.

“Ballkani Perëndimor është një nga prioritetet tona. Në procesin e liberalizimit të vizave duhet të bëhet ende punë, por jemi në rrugë të drejtë në mënyrë që ky proces të përfundojë mirë” tha ai.

Të lidhura

None found

PO ashtu ai u shpreh se normalizimi i marrëdhënieve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, për Çekinë dhe BE-në është aspekt qenësor.

“Do të doja të shpreh përkrahjen time, të BE-së dhe Lajçakut për t’i ndihmuar Kosovës dhe Serbisë për t’i normalizuar marrëdhëniet, duhet të dy palët të respektojnë marrëveshjet” shtoi ai.

Ministri Lipavsky i pyetur nëse liberalizimi mund të ndodhë gjatë presidencës çeke, ka thënë se është një proces i cili përbëhet nga aspekte teknike dhe vendime politke.

“Shumë shpejt BE-ja do të rishikojë pjesën teknike dhe shpresoj që presidenca çeke të ketë një vendim politik dhe liberalizimi të ndodhë”, tha ai.