“Ju raftë COVID-i që s’më dhatë votën”, Haki Morina: Ishte sarkazmë, nuk jam çmendur

Interneti filloi të ziente ditën e djeshme, pas postimit të Haki Morinës  i cili shkruante në rrjetin social Facebook: Ata që pa ua kërkuar, ma kanë premtuar votën, e s’ma kanë dhënë, ju rafte Covid-19.

Ish-kandidati i PDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit mori në total 4193 vota dhe nuk ia doli në hynte në parlamentin kosovar dhe ai postim u duk si një përgjigje shumë e rëndë ndaj votuesve.

Morina jeton dhe vepron në Zvicër, por ishte kthyer në Kosovë për të kandiduar. Ai është një figurë e njohur, pasi është një prej themeluesve të PDK-së dhe një prej themeluesve të UÇK-së.

Sot ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Zvicra me emisionin “Shqipëria Live”, ku Morina u shpreh se shkrimi i tij ishte sarkazëm, ironi.

“Kam prirje për të shkruar me sarkazëm dhe kjo është një mënyrë e komunikimit me miqtë e mi. Ata nuk do të më gjykojnë për atë shënim. Por portalet e marrin me një shpejtësi të madhe, pa ndonjë sqarim dhe u interpretua në mënyra të ndryshme. Nuk jam çmendur që tu uroj njerëzve kancerin dhe Covid për ca vota, është absurde. Ishte një batutë me ironi dhe goditje nga fenomeni. Reagimet kanë qenë nga më primitivet e mundshme. Mendimi politik është aq kaotik dhe i pazhvilluar sa nuk mund të imagjinohet. Postimi qëllimin e kishte të godas fenomenet negative. Fola për disa individë të caktuar, që kanë premtuar se kanë ndikim në elektoral dhe do të angazhohen maksimalisht. Janë njerëz që janë afruar pa u kërkuar unë votën time. E kam bërë me sarkazëm”, sqaroi Morina. /albeu.com/

 


Shtuar 16.03.2021 14:47