Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli ka folur për projekti qeveritar “Porta e Alpeve”. Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Topalli u shpreh se “Porta e Alpeve” shërben për favore politike dhe nuk ka transparencë dhe kufij të qartë.
Deputetja demokrate tha se sa më i paqartë të jetë projekti, aq më e lehtë bëhet ndarja e fondeve dhe privilegjeve për klientët e qeverisë. Sipas saj, ky nuk është projekt zhvillimi por është një gjeografi sipas tenderit. Ajo tha se kur qeveria fut bregdetin te Porta e Alpeve, nuk po ngatërron hartën, por po teston sa shumë mund të deformojnë realitetin pa dhënë asnjë shpjegim.
Të lidhura
None found
Fjala e saj:
Kur një projekt nuk ka kufij të qartë, nuk ka transparencë financiare dhe nuk ka kritere publike, atëherë hapet dera për atë që kjo qeveri di të bëjë më mirë: favorizime, grabitje pronash dhe klientelizëm. Ka një pyetje që askush nga qeveria nuk i përgjigjet: Si ka mundësi që fondet për Alpet dhe zhvillimin malor përfundojnë në zona bregdetare? Nëse projekti quhet “Porta e Maleve, e Alpeve”, pse përfshihen territore që identitetin ekonomik e kanë te deti, turizmi bregdetar dhe te fusha? Kjo bën projektin të duket jo si strategji zhvillimi, por si një hartë politike interesash.
Këto paradokse nuk janë gabime teknike në fakt. Janë mjegull politike. Sa më i paqartë projekti, aq më e lehtë bëhet ndarja e fondeve dhe privilegjeve për klientët e qeverisë. Dhe kur shteti nuk jep harta, kritere dhe as transparencë, njerëzit kanë të drejtë të dyshojnë se pas zhvillimit fshihet një operacion për kontroll territori.
Kur flitet për Portën e Alpeve për Lezhën dhe Shkodrën, askush nuk shpjegon: Sa fonde shkojnë te secili qark? Cilat janë projektet konkrete? Kush përfiton? Me çfarë kriteresh? Paradokset në fakt, që duken në sipërfaqe, gjithmonë fshehin interesin e tyre poshtë. Me këtë qeveri, Alpet kanë zbritur deri në det në Lezhë, që ka bregdetin, lagunën, fushën, që na doli papritur Porta e Alpeve. Me këtë logjikë, nesër në portin e Shëngjinit mund të mbajmë një stacion ski pa problem.
Ky nuk është projekt zhvillimi. Kjo është një gjeografi sipas tenderit. Ose Alpet kanë lëvizur nga vendi, ose fondet po ecin sipas interesit. Kur qeveria fut bregdetin te Porta e Alpeve, nuk po ngatërron hartën; po teston sa shumë mund të deformojnë realitetin pa dhënë kurrë asnjëherë asnjë shpjegim. Lezha ka detin. Paradokset që duken në sipërfaqe shpesh fshehin interesin e vërtetë, përsëris, por për pushtetin rëndësi nuk ka relievi; rëndësi ka relievi i interesave. Në këtë vend, edhe malet nuk ndjekin më natyrën. Ndjekin klientin.
Kur zgjedhjet manipulohen, ekonomia kontrollohet nga klientela dhe parlamenti trajtohet si dekor, atëherë sigurisht që Al Capone nuk është më figurë filmi. Është model qeverisjeje. Dhe projekti i paketës së maleve dhe i Portës së Alpeve është njëri prej tyre. Unë do kisha dashur shumë ta votoja. Dhe ndoshta edhe do ta votoj. Por unë jam e bindur se paratë që ju i quani me emrin e bukur e interesant “Porta e Alpeve”, do shkojnë rrush e kumbulla.
