Netflix do të sjellë më 3 qershor serialin e ri dokumentar me tre pjesë “Michael Jackson: Verdict”, i cili rikthen në vëmendje gjyqin e shumëpërfolur të Michael Jackson në vitin 2005, ku artisti u shpall i pafajshëm ndaj akuzave për ngacmim seksual të fëmijëve.
Dokumentari fokusohet te akuzat e ngritura kundër ikonës së popit në vitin 2003, procesi gjyqësor që pasoi dhe vëmendja e jashtëzakonshme mediatike që shoqëroi çështjen në atë kohë. Në tre episodet e serialit përfshihen dëshmi nga persona që ishin drejtpërdrejt pjesë e procesit, mes tyre anëtarë jurie, dëshmitarë, prokurorë dhe pjesëtarë të ekipit mbrojtës.
Të lidhura
None found
Sipas krijuesve, projekti është trajtuar si një rrëfim historik që synon të paraqesë faktet ashtu siç u zhvilluan në sallën e gjyqit. Regjisori Nick Green dhe producentja ekzekutive Fiona Stourton deklaruan për Tudum se kishte ardhur momenti për të rishikuar çështjen pas 20 vitesh.
Ata theksuan se mungesa e kamerave në sallën e gjyqit bëri që publiku të krijonte një perceptim të fragmentuar mbi procesin, ndërsa dokumentari synon të ofrojë një pasqyrë më të plotë të asaj që ndodhi realisht.
Seriali është krijuar nga David Herman dhe prodhohet nga Candle True Stories.
Dokumentari pritet të rikthejë edhe një herë në qendër të vëmendjes një nga proceset gjyqësore më të diskutuar në historinë e showbiz-it.
